ARKIV: Fotografi nga migrimi në fund të 2014-ës dhe fillim të 2015-ës

Shqipëria e Kosova të parat në rajon për migrim, mbi 1.7 milion u larguan për 10 vjet

 

1 milion e 779 mijë e 353 qytetarë janë larguar nga Shqipëria e Kosova në periudhën 2008-2018, duke i bërë kështu vendet e para në rajon për migrim.

Sipas një hulumtimi nga Instituti EPIK, me 1,249,706 (44%) qytetarë listës së migrimit i prin Shqipëria, për t’u renditur e dyta Kosova me 529.647 (30%) qytetarë.

EPIK analizën e kan bazuar në mbi tri kategori të dhënash të EUROSTAT-it për këtë periudhë kohore: Numrin e aplikimeve për azil në BE; Numrin e qytetarëve të zënë ilegalisht të pranishëm në BE; dhe Numrin e lejeve të qëndrimit të lëshuara për herë të parë në BE.

Gjatë periudhës 2008-2018, 2 milionë e 979 mijë e 766 qytetarë të Ballkanit Perëndimor kanë emigruar në BE.

Prej tyre 1 milion e 599 mijë e 971, apo 54% e tyre, kanë emigruar në mënyre të ligjshme, duke fituar lejen e qëndrimit, 808 mijë e 30, apo 27% e tyre, janë zënë ilegalisht të pranishëm në BE, ndërsa 571 mijë e 765, apo 19% e tyre, kanë kërkuar azil, transmeton rtv21.tv.

“Shqipëria prin bindshëm rajonin me shkallën e emigrimit. Gjatë periudhës 2008-2018, 1,249,706 shtetas të saj kanë emigruar drejt BE-së. Kjo përbën 44% të popullsisë së Shqipërisë. Kjo është pothuaj sa numri i shtetasve emigrues në BE nga të gjitha vendet e tjera të rajonit të marra së bashku”, thuhet në hulumtimin e EPIK.

Sa u përket qytetareve të zënë duke qëndruar ilegalisht në BE, gjatë periudhës 2008-2018 janë zënë 451,015 shtetas të Shqipërisë. Sipas EPIK kjo është më shumë se numri i shtetasve të kësaj kategorie nga të gjitha vendet e tjera të rajonit të marra së bashku.

Me fjalë të tjera, 16% e popullsisë së Shqipërisë është zënë ilegalisht në BE gjatë kësaj periudhe. Shqipëria ka udhëqur rajonin edhe me numrin e shtetasve që kanë fituar lejen e qëndrimit në BE. 622,171 shtetas të saj e kanë fituar atë gjatë periudhës 2008-2018.

Kjo përbën 39% të qytetarëve nga i tërë rajoni që kanë fituar leje qëndrim në BE; Shqipëria ka udhëhequr rajonin edhe me numrin e qytetarëve të cilëve u është refuzuar hyrja në BE.

Gjatë periudhës 2008-2018, 332,470 shtetasve nga rajoni u është refuzuar hyrja në BE. Më shumë se gjysma e tyre, apo 170,450, kanë qenë shtetas të Shqipërisë”, thuhet tutje në hulumtimin e tyre.

Instituti EPIK në hulumtimin e tij ka theksuar se Kosova është në vendin e dytë për nga shkalla e emigrimit në BE, me 529,647 shtetas, apo 30% të popullsisë.

Vendi me shkallën më të ultë të emigrimit është Mali i Zi me 36,089 shtetas, apo 6% të popullatës.

“Fluksi i migrimit të qytetarëve nga Ballkani Perëndimor ka arritur kulmin në vitin 2015, me 425,385 qytetarë të larguar drejt BE-së. Përkundër rënies së fluksit gjatë vitit 2016 dhe 2017, ai ka shënuar përsëri rritje në vitin 2018, me 325,250 qytetarë të emigruar në BE”, thuhet tutje në hulumtim.

Sa u përket vendeve të BE-së të cilat kanë pranuar më së shumti azilkërkues, Gjermania prin me 83,880, e ndjekur nga Franca, me 41,885. Sa u përket vendeve ku qytetarët e Ballkanit janë zënë duke qëndruar ilegalisht, prinë Greqia me 280,850, dhe Gjermania, me 52,220.

Ndërsa sa i përket numrit të lejeve të qëndrimit të lëshuara për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, prin Italia, me 308,252 sosh, dhe Greqia, me 224,129 sosh.

E sa u përket vendeve të BE-së hyrja në të cilët është refuzuar, prin Greqia, me 75,540, dhe Italia, me 31,230./21Media