Shqipëria do të mbajë më 11 maj Zgjedhjet e Përgjithshme për Kuvendin
Në Tiranë, presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dekretoi sot 11 Majin e vitit të ardhshëm, si datën e mbajtjes së Zgjedhjeve të Përgjithshme për Kuvendin.
Presidenti Begaj zgjodhi kështu opsionin e fundit kalendarik – duke respektuar kërkesën e KQZ-së për datën 11 Maj – si thuhet në njoftimin e Presidencës, në mënyrë që t’i jepet sa më shumë kohë për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i suksesshëm e rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit.
“Presidenti i Republikës shpreh bindjen se sfida madhore e këtyre Zgjedhjeve është votimi nga jashtë vendit dhe përfshirja masive e zgjedhësve me banim jashtë shtetit, në këtë proces thelbësor për demokracinë. Të gjitha forcat politike kanë shprehur publikisht vendosmërinë për të ndihmuar këtë proces dhe për t’ia nënshtruar caktimin e datës së Zgjedhjeve këtij interesi prioritar. Presidenti i Republikës bashkohet plotësisht dhe e respekton pa mëdyshje këtë vullnet.” – theksohet në njoftimin e Presidencës.
Krahas KQZ-së, zoti Begaj zhvilloi për këtë çështje konsultime me partitë politike: PS, PR, LZHK, PAA, PBDNJ etj., një proces ku Partia Demokratike e opozitës nuk mori pjesë.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi dy javë më parë se refuzonte të përfshihej në “një proces farsë dhe që synon vetëm që t’i japë legjitimitet një akti të diktuar në mënyrë antikushtetuese nga partia në pushtet”.
Ai shtoi se datën e Zgjedhjeve e ka diktuar kryeministri Edi Rama, ndërsa “farsa e gjoja konsultimeve me parti politike – madje edhe me individë pa parti – është një akt i shëmtuar, që meriton vetëm të përbuzet”.
Data 11 Maj ishte përmendur si një datë e mundshme nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe nga përfaqësues të Partisë Socialiste, ndaj Partisë Demokratike.
Presidenti Begaj bëri të ditur se caktoi datën 11 Maj, pasi u konfirmua zyrtarisht nga burime vendase e ndërkombëtare që Samiti i 6 i Komitetit Politik Evropian (EPC) do të mbahet pas Zgjedhjeve të Përgjithshme.
Ai tha se bashkohej me qëndrimin që zhvillimi nga ana e Qeverisë i një takimi të kësaj natyre, në finalen e fushatës zgjedhore, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të lidershipit politik europian, nuk mund të jetë pa ndikim në caktimin e datës së Zgjedhjeve.
“Partia Demokratike dhe një pjesë e konsiderueshme e partive parlamentare i paraqitën Presidentit të Republikës shqetësimin, se planifikimi i këtij Samiti për datat 8 dhe 9 maj të vitit 2025, dy ditë para datës së fundit të mundshme për zhvillimin e Zgjedhjeve, formon ndikim dhe avantazh të papranueshëm për Qeverinë. Si dhe, cenon ndjeshëm parimin e barazisë së armëve, që kërkon Kodi Zgjedhor për fushatën zgjedhore.” – thuhet në njoftimin e Presidencës.
Përderisa, Zgjedhjet e Përgjithshme janë rreth 5 muaj larg, ashtu si institucionet zgjedhore kanë nisur përgatitjet teknike për votën e shqiptarëve nga brenda e jashtë vendit, edhe partitë politike kanë nisur veprimtari të hershme politike me përkrahësit e tyre brenda e jashtë Shqipërisë.
Socialistët garojnë për një mandat të katërt në pushtet që nga viti 2013, ndërsa opozita ka nisur përpjekjet për të shmangur një tjetër humbje./VOA