Bashkia e Tiranës - Foto: VOA

Shqipëria do të hapë kapituj të rinj të negociatave për anëtarësim në BE javën e ardhshme

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për t’i hapur dy kapituj të rinj të negociatave për anëtarësim me Shqipërinë. Si dhe, për t’i mbyllur tre kapituj me Malin e Zi – njoftoi, të premten, Presidenca hungareze e Këshillit të BE-së.

Kjo do të bëhet gjatë Konferencave Ndërqeveritare mes BE-së dhe Malit të Zi, më 16 dhjetor. Si dhe, me Shqipërinë një ditë më vonë.

Presidenca hungareze shtoi se ambasadorët e vendeve të Bllokut miratuan qëndrimin e përbashkët të BE-së – për hapjen e kapitujve 30 dhe 31, në negociatat me Shqipërinë. Si dhe, për mbylljen e kapitujve 7, 10 dhe 20, në negociatat me Malin e Zi.

Mali i Zi shpresonte se do t’i mbyllte katër kapituj. Por, Kroacia e bllokoi mbylljen e kapitullit 31, i cili ka të bëjë me politikën e jashtme – të Sigurisë dhe të Mbrojtjes.

Radio Evropa e Lirë raportoi kohë më parë – duke cituar disa burime në Bruksel – se në Konferencën e ardhshme Ndërqeveritare, Mali i Zi me gjasë do t’i mbyllte tre kapituj të negociatave për anëtarësim në BE.

Të premten pasdite u mbajt një takim i ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, ku pjesëmarrësit duhej të pajtoheshin për tekstin e konkluzioneve përfundimtare për zgjerimin dhe të vendosnin për numrin e kapitujve që do të mbyllte Mali i Zi. Si dhe, për ata që do t’i hapë Shqipëria javën e ardhshme.

Për hapjen e për mbylljen e çdo kapitulli është i nevojshëm pëlqimi i të gjithë anëtarëve të Bashkimit Evropian.

Kapitulli 30 për Shqipërinë ka të bëjë ‘me marrëdhëniet e jashtme’, ndërkaq ai 31 ‘me politikën e jashtme’ – të Sigurisë dhe të Mbrojtjes.

Në tetor, Shqipëria e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

Hapja e kapitujve për Shqipërinë erdhi pas një pritjeje të gjatë, pasi ajo kishte aplikuar për anëtarësim më 2009 dhe e kishte marrë statutin ‘e vendit kandidat’, më 2014.

Ndërkohë, Mali i Zi do të mbyllë përkohësisht kapitullin 7 – Të drejtat e pronësisë intelektuale, kapitullin 10 – Shoqëria e informacionit dhe media dhe kapitullin 20 – Politikat e biznesit dhe industrisë.

Mali i Zi i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht tre. Pasi i hapi negociatat për anëtarësim më 2012.

Pas disa vitesh stagnimi, ky vend i rinisi negociatat në qershor të këtij viti dhe javën e ardhshme do t’i mbyllë edhe tre kapituj të tjerë./REL