Shqipëria: Bashkëpunimi me SHBA-në, thelbësor për identifikimin e tipologjisë së sulmit kibernetik

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shqipërisë ka vlerësuar mbështetjen e ofruar nga Shtetet e Bashkuara dhe agjencitë e tyre, duke e konsideruar thelbësore në identifikimin e tipologjisë së agresionit kibernetik të muajit korrik.

Shqipëria ka ndërprerë lidhjet diplomatike me Iranin më 7 shtator, duke thënë se hetimet kanë treguar se sulmet kibernetike të muajit korrik janë kryer nga Irani si “agresor shtetëror”.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka mbledhur të hënën Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar dëmet e shkaktuara nga sulmet kibernetike ndaj portalit qeveritar, E-albania dhe sistemit TIMS.

Aty është thënë se e gjithë vëmendja e autoriteteve shqiptare tani është te forcimi i kapaciteteve mbrojtëse ndaj sulmeve të tilla, dhe është konfirmuar që duhet të vazhdojë “bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar me të gjitha vendet partnere, NATO-n, dhe BE-në”.

Autoritetet iraniane kanë hedhur poshtë akuzat se janë mbrapa sulmeve të korrikut.

Megjithatë, aleanca ushtarake e NATO-s ka konfirmuar se prapa atij sulmi ka qenë Irani.

Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar Ministrinë iraniane të Inteligjencës dhe kreun e këtij institucioni, duke i akuzuar se qëndrojnë pas sulmit kibernetik të muajit korrik ndaj Shqipërisë.

Irani ka dënuar ashpër sanksionet amerikane.

Opozita në Shqipëri, por edhe ekspertë të sigurisë, kanë kërkuar një mbledhje të tillë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare prej kur ka ndodhur sulmi i 15 korrikut.

Në mbledhjet e kaluara është ftuar lideri i opozitës, mirëpo këtë herë Begaj nuk e ka ftuar asnjë përfaqësues të saj.

Më herët gjatë ditës së hënë, hakerët e grupit, Homeland Justice kanë publikuar në Telegram të dhëna mbi punonjësit e Policisë së Shqipërisë.

Në listën me detajet e rreth 300 policëve është parë mbishkrimi “mbase këta këtu janë objektivat e radhës”.

Ditë më parë në këtë faqe online janë publikuar edhe e-mailet e shkëmbyer nga Gledis Nano, në kohën kur mbante postin e drejtorit të Njësisë Anti-terror në Policinë e Shqipërisë.

Një tjetër material sensitiv i publikuar nga Homeland Justice ka të bëjë me të dhënat e shtetasve shqiptarë të dyshuar ndër vite për krime të ndryshme.

Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Teheranit janë përkeqësuar ndjeshëm pasi autoritetet shqiptare janë pajtuar – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3.000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) më 2013.

Zyrtarët iranianë i konsiderojnë pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë.

Pas sulmit kibernetik të muajit korrik, Ambasada amerikane në Shqipëri pati ngritur alarm për një kërcënim të mundshëm, që është thënë se ka pasur cak një samit të organizuar nga opozita e Iranit në mërgim.

Ky samit ishte planifikuar të mbahej në Durrës më 23 dhe 24 korrik.

Samiti ishte paraparë të organizohej nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), të dyja grupe që avokojnë përmbysjen e Qeverisë së Iranit. /REL