Foto: VOA

Shqipëri, vonesa në kërkimin dhe gjetjen e të pushkatuarve gjatë regjimit komunist

Në takimin e zhvilluar në prani të përfaqësuesve të Autoritetit për Informim mbi Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit, kryetari i shoqatës se ish të burgosurve politikë të Shkodrës, Zenel Drangu, tha se, megjithë premtimet, ende nuk kanë nisur në terren gërmimet për gjetjen e trupave të kundërshtarëve politikë të pushkatuar gjatë regjimit komunist.

“Ka mbetur në kuadër të fjalëve dhe se bëhet pengesë një vendim i Këshillit të Ministrave. Tek varrezat e Rrmajit dihet se gjenden 10 të ekzekutuar dhe Autoriteti i Dosjeve ka thënë se po fillojmë sot, po fillojmë nesër, por deri tani nuk është bërë asgjë. Ka qenë fjala për të filluar gërmimet tani, në muajin shtator, por nuk u bë e mundur. Të paktën të nisë puna për t’u gjetur ata që mund të gjenden, me qëllim që familjarët e tyre te kenë një vend varrimi ku të çojnë një tubë me lule”, thotë ai.

Anëtari i bordit drejtues të Autoritetit për Informim mbi Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit, Gjergj Marku, tha gjatë takimit se pritet një vendim i qeverisë, i cili do të mundësojë nisjen e gërmimeve për gjetjen e eshtrave të ekzekutuarve gjatë komunizmit.

“Ne aktualisht presim edhe një VKM që shpresojmë të bëhet nga qeveria për të filluar me gjetjen e tyre. Në këtë moment jemi në kuadrin e kërkimit dhe gjetjes së dëshmive. Kemi caktuar vendet e ngjarjeve në të gjithë territorin e Shqipërisë ku ne mendojmë dhe shpresojmë të gjejmë këto persona të zhdukur në regjimin komunist”, thotë ai.

Prej të paktën 5 vitesh Autoriteti, në bashkëpunim me familjarët dhe institucionet, po punon për evidentimin e vendit te pushkatimit të kundërshtarëve politikë të regjimit.

Në vitin 2018 qeveria e Shqipërisë nënshkroi një marrëveshje me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, por deri tani puna eshtë në fazën përgatitore dhe gërmimet në terren për gjetjen e eshtrave ende nuk ka filluar. Ndërkohë, familjarët e të zhdukurve vazhdojnë ende të kërkojnë mes malesh, por edhe tek institucionet, me shpresën se në arkivat e kohës së diktaturës do të kenë mbetur gjurmë të krimit.

Kolë Vladaj, nga Shala e Dukagjinit, thotë se prej 33 vitesh vazhdojnë të kërkojnë eshtrat e gjyshit të tyre, të ekzekutuar pa gjyq në vitin 1945, dhe ende nuk i kanë gjetur. Ai thotë se kanë kërkuar ndihmë edhe tek autoriteti i dosjeve për të gjetur gjurmë të vendit të ekzekutimit, por kjo ka qenë e pamundur.

Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të ish të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, Et’hem Fezollari, thotë se ende në institucione ka persona të së kaluarës që pengojnë procesin e gjetjes së të zhdukurve në komunizëm.

“Mjaft me mashtrime. Populli është i ngopur. Ne i kemi vënë detyrë vetes që kjo punë të shkojë deri në fund. Të mos ngelin në harresë”, thotë ai.

Gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri mendohet se u ekzekutuan, me gjyq dhe pa gjyq, rreth 6 mijë kundërshtarë politikë. Pas rrëzimit të komunizmit, familjarët nisën me nxitim kërkimet dhe rreth 2 prej tyre u gjetën dhe u rivarrosën me nderime./VOA.