Shqipëri - Vdesin 13 persona nga coronavirusi

13 persona kanë humbur jetën në Shqipëri nga coronavirusi.

Kështu ka bërë të ditur sot në një konferencë për media, Mira Rakacolli, zëvendës Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila ka shtuar se numri i të prekurve me virus ka shkuar në 243.

Sipas saj, në 24 orët e fundit janë testuar 145 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 20 raste të reja me COVID-19.

“Deri në këto momente janë testuar 1671 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 243 raste”, tha ajo.

“Shkon në 13 numri i personave që kanë ndërrur jetë nga COVID-19 në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjeve të të ndjerëve”, ka shtuar Rakacolli.

Ajo ka shtuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 8 pacientë, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 52.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Shkodër, Mirditë dhe Korçë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë 129 raste
– Durrës 26 raste
– Lushnje 4 raste
– Elbasan 5 raste
– Fier 23 raste
– Kavajë 4 raste
– Rrogozhinë 2 raste
– Korçë 15 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 8 raste
– Lezhë 5 raste
– Berat 1 rast
– Has 2 raste
– Krujë 5 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 3 raste
– Mirditë 2 raste

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Respektoni masat e distancimit social sepse vetëm kështu mund ta përballojmë këtë sfidë! Ministria e Shëndetësisë apelon qytetarët të telefonojnë në numrin 127 të urgjencës kombëtare nëse dyshojnë se kanë shenja të COVID-19./ Top Channel