Shqipëri: Turku Selami Simsek apelon në gjykatë vendimin për refuzimin e azilit

Avokati mbrojtës i shtetasit Selami Simsek njoftoi se kishte kërkuar Gjykatës Administrative të pezullonte veprimet për deportimin e turkut të dyshuar si gylenist dhe të përmbyste vendimin e Komisioni Kombëtar për Azilin e Refugjatët, që i refuzoi azilin.

 

Mbrojtësi i shtetasit Selami Simsek njoftoi të mërkurën se i kishte kërkuar Gjykatës Administrative përmes një kërkese për sigurim padie të pezullonte veprimet për deportimin e turkut të dyshuar si gylenist dhe të përmbyste vendimin e Komisioni Kombëtar për Azilin e Refugjatët, që i kishte refuzuar atij azilin.

Padia dhe kërkesa për sigurim padie të përpiluara nga avokati Elton Hyseni u depozituan në gjykatë po të mërkurën, 28 tetor, ndërsa Simsesk vijon të mbahet që prej marsit të këtij viti në Qendrën e Mbyllur për të Huajt në Karreç në periferi të Tiranës.

Avokati Hyseni kërkon gjithashtu pezullimin e urdhrit të marsit të Drejtorisë së Azilit dhe Shtetësisë pranë Ministrisë së Brendshme që kërkonte dëbimin e Simsekut në Turqi. Në padi kërkohet po ashtu të shfuqizohen vendimet e Drejtorisë së Azilit dhe Shtetësisë pranë Ministrisë së Brendshme dhe Komisionit Kombëtar për Azilin e Refugjatët dhe pranimin e kërkesës së Simsek për azil.

Siç del nga kërkesa, Komisioni Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët vendosi në 10 shtator me shumicë votash të refuzojë kërkesën e Simsek për azil, bazuar mbi procedurë. Tre përfaqësues të qeverisë në Komision arsyetuan kundër kërkesës për azil, duke pretenduar se Simsek kishte ankimuar vendimin me vonesë. Pretendimi bazohet mbi një praktikë kontraverse, sipas të cilës Simsek u njoh me vendimin e Drejtorisë së Azilit dhe Shtetësisë të marsit dhe se apelimi ishte bërë me vonesë.

Përfaqësuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit e kundërshtoi këtë vendim, duke referuar se njoftimi i vendimit palëve nuk ishte i qartë, ndërsa nuk ishte e qartë as nëse kishte pasur përkthyes të pranishëm. Përfaqësuesja e KShH po ashtu vuri në dukje se pretendimet e Simsek, se rrezikohej të burgosej në Turqi, nuk u morën parasysh nga shumica në Komision.

Selami Simsek u arrestua korrikun e vitit të kaluar me një vizë kanadeze false në Rinas,  së bashku me mësuesin Harun Çelik. Ata pretenduan se po arratiseshin, pasi përndiqeshin nga Turqia si pjesë e lëvizjes së klerikut Fetullah Gylen.

Më 1 janar, Shqipëria dëboi Harun Çelik pavarësisht thirrjeve të tij në kërkim të azilit. Çelik u burgos menjëherë sapo mbërriti në Turqi, ndërsa Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu raportoi se ai ishte kapur në një operacion ku ishte përfshirë dhe shërbimi sekret turk, MIT.

Në një proces të ndarë gjyqësor, Selami Simsek u dënua më 27 janar nga Gjykata e Tiranës me një vit e gjysmë burg, ndërsa përfitoi uljen e një të tretës së dënimit për shkak se pranoi fajin dhe shprehu pendesë.

Ai u lirua nga burgu pasditen e 9 marsit 2020 dhe u shoqërua nga policia tek Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Laprakë, ku bëri kërkesën për azil. Pas një sërë peripecish, Simsek u shoqërua në Qendrën e Mbyllur për të Huajt në Karreç në periferi të Tiranës, ku ndodhet edhe aktualisht.

Drejtoria e Azilit dhe Shtetësisë pranë Ministrisë së Brendshme mori po atë ditë vendim  për refuzimin e kërkesës së tij për azil. Ky vendim dyshohet nuk iu njoftua as shtetasit turk dhe as avokatit të tij. Pas publikimit të vendimit në media avokati Elton Hyseni apeloi rastin në Komisioni Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët, që po ashtu refuzoi kërkesën për azil.

Rasti i Simsek dhe bashkëudhëtarit të tij të dëbuar, Harun Çelik ka nxitur hetime për akuza të rrëmbimit të personit dhe zhdukjes nga një grup i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi Ndalimet Arbitrare, i cili i dërgoi Shqipërisë një listë pyetjesh në maj./Reporter.al