Shqipëri, tre të vdekur dhe 82 të sëmurë të rinj me COVID-19

Shqipëria përjetoi një ditë tjetër negative me një numër rekord rastesh të reja dhe tre të vdekur përgjatë 24 orëve të fundit ndërsa autoritetet shëndetësore përsërisin thirrjen për kujdes.

 

Autoritetet shëndetësore shqiptare identifikuan 82 raste të reja pozitive me COVID-19 nga 368 persona të testuar gjatë 24 orëve të fundit, duke shënuar një rekord negativ që është parë vetëm një herë më parë në datën 16 qershor. Dita e djeshme u mbyll edhe me 3 viktima të reja të shkaktuara nga koronavirusi i ri ndërsa numri total i viktimave mbërriti në 69 persona. Në Shqipëri janë shënuar edhe disa vdekje të tjera të personave pozitivë nga COVID-19 por ato nuk janë përfshirë në statistikat zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë me argumentin që vdekjet e tyre nuk janë shkaktuar nga kjo sëmundje.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet çdo qytetari, të tregojë kujdes të shtuar në çdo ambient, në ambientet e punës apo ku ofrohen shërbime, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike, shmangien e kontakteve dhe apelon për vendosjen e maskës, kur nuk është e mundur të ruhet distanca,” deklaroi Roneva Daja nga Instituti i Shëndetit Publik të enjten, duke përsëritur një thirrje të përditshme të autoriteteve shëndetësore për popullsinë në një kohë kur infeksioni vijon të përhapet në të gjithë Shqipërinë. Aktualisht virusi gjendet i pranishëm në të dymbëdhjetë qarqet e vendit. Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Vlora kanë mbi 100 raste aktive. Rastet e reja të ditës së martë u identifikuan në 19 qendra banimi.

Shqipëria pati një numër të përmbajtur rastesh me CODIV-19 deri në fillim të qershorit ndërsa infeksioni shpërtheu gjatë tre javëve të fundit, periudhë në të cilën numri i rasteve aktive u rrit nga 350 në mes të qershorit në 1034 sot.