Ilustrim

Shqipëri, ‘Tradhtarët e luftës' kundër COVID-19: Oficerët e policisë nën akuzë për korrupsion

Një hetim i prokurorisë së Korçës dhe SHÇBA-së zbuloi se masat drastike të qeverisë kundër shkelësve të ndalim-qarkullimit me automjete gjatë emergjencës shëndetësore të COVID-19, dyshohet se u shfrytëzuan nga gjashtë oficerë policie për të ndërtuar një skemë korrupsioni.

Ardian B. është pronar i një dyqani të vogël në qytetin e Korçës, prej nga shet niseshte dhe pana për pastiçeritë si dhe furnizon furrat e bukës me tërshërë dhe lëndë të parë.  Më 16 mars, pak ditë pasi Këshilli i Ministrave urdhëroi me akt normativ mbylljen e të gjitha bizneseve me përjashtim të atyre që konsideroheshin si aktivitete të domosdoshme, Ardiani u ndalua nga policia duke shpërndarë mallin e porositur.

Ardiani ishte i bindur se si punonjës i “vijës së parë”, nuk kishte arsye pse të shqetësohej. Megjithatë, një oficer policie e ndaloi atë në orën 11.00 të drekës dhe pas kontrollit të dokumenteve, urdhëroi bllokimin e  makinës.

Në momentin e ndalimit, Ardiani kishte me vete kasën fiskale dhe licencën e biznesit, por makina e tij nuk ishte regjistruar si pronë e kompanisë. Dy javë më vonë, Organi Administrativ Shtetëror, OASH, i njohur gjerësisht si “Komisioni” për shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, vendosi në zbatim të akteve normative të qeverisë kundër pandemisë, t’i bllokonte tregtarit korçar makinën dhe t’i hiqte patentën për 3 vjet.

Me makinë të bllokuar dhe biznesin në karantinë, Ardiani takoi një person të dyshuar nga prokuroria si sekser mes oficerëve të policisë dhe qytetarëve me probleme.

Sipas një hetimi për korrupsion ndaj 6 oficerëve të policisë së Korçës,  ai pagoi një ryshfet prej 50 mijë lekësh për të rimarrë patentën dhe makinën.

Në dëshminë e tij, Ardiani i tha prokurorëve se ishte ndjerë i detyruar që të paguante, pasi “me atë mjet mbante familjen.”

Historia e Ardianit doli në skenë më 16 qershor, kur Gjykata e Korçës urdhëroi pezullimin nga detyra për 6 oficerëve të policisë, kryekomisarin Ervin Dervishi, nën/komisarin Oltion Hyka, nën/komisarin Edmond Terolli, komisarin Agron Hima, nën/komisarin Mitat Cani, nën/komisarin Kujtim Nuke si dhe disa qytetarë që dyshohet se janë implikuar në veprat e  “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit aktiv dhe pasiv i personave që ushtrojnë veprimtari publike” dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”.

Oficerët e policisë akuzohen nga Prokuroria se abuzuan me detyrën duke marrë ryshfet nga qytetarët që thyenin rregullat e lëvizjes gjatë pandemisë, falsifikuan dokumente dhe nxorën leje preferenciale për shoferë, ndaj të cilëve ishin vendosur masa bllokimi të patentave dhe makinave bazuar në aktin normativ të  15 marsit 2020 – pjesë e masave parandaluese kundër COVID-19.

Abuzimet, sipas kërkesës së Prokurorisë së Korçës për masë sigurie ndodhën në të njëjtën kohë kur kryeministri Edi Rama i akuzonte shkelësit e aktit normativ si “tradhtarë”.

Qeveria i fali më vonë gjobat e vëna në këtë periudhë, por siç del nga hetimi i Prokurorisë së Korçës, dhjetëra qytetarë paguan ryshfete të kripura për të rimarrë makinat dhe patentat e bllokuara si pjesë e masave shtrënguese ndaj pandemisë.

Para se të transferonte çështjen për t’u hetuar nga Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK, Gjykata e Korçës vendosi pezullimin nga detyra të 6 oficerëve të dyshuar. Ndërsa ndaj qytetarëve që paguan ryshfetin dhe një personi që dyshohet si sekser vijon procedimi penal.

Sipas dokumentit gjyqësor që BIRN disponon, mbrojtësit ligjorë të oficerëve të akuzuar i kanë kundërshtuar akuzat dhe kërkesën për pezullim nga detyra nga organi i akuzës. Ndërsa sipas vendimit të gjykatës, kryekomisari Ervin Dervishi citohet të ketë akuzuar prokurorinë dhe SHÇBA-në se i kishte marrë dëshmitë duke ushtruar presion dhe se dëshmitarët “ishin pyetur në mënyrë të dhunshme”.

Masat ndëshkimore krijuan terren për abuzime

Masat e ashpra ndaj qytetarëve që shkelnin kufizimin e qarkullimit gjatë muajit mars duke lëvizur me makinë pa leje, u përcaktuan në një akt normativ të qeverisë. Ato u frymëzuan gjithashtu nga retorika për luftë kundër virusit e kryeministrit Edi Rama, i cili urdhëroi parakalimin e blindave të ushtrisë në rrugët e Tiranës si shfaqje e forcës kundër “një tufe të pabindurish, tradhtarë lufte”.

Hetimi i kryer nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat dhe prokurorja e Korçës, Dhorina Theodhori filloi pas një denoncimi nga një oficer policie në Komisariatin Dixhital më 21 prill 2020, ku akuzoheshin të sipërpërmendurit për zhbllokimin e makinave të ndaluara sipas aktit normativ për masat kundër pandemisë dhe ndryshimin e dokumenteve mbi të cilat ishte bërë bllokimi, si dhe ndërhyrje në sistem dhe dhënie lejesh jo të rregullta.

Sipas hetimit të prokurorisë në Korçë, dhjetëra qytetarë u detyruan të paguajnë ryshfet deri në 50 mijë lekë, pasi humbën patentat për shkeljet e lidhura me aktin normativ.

“Tani bëju një respekt këtyre. E di vetë!”, citohet nën/komisari Edmond Terolli në një përgjim ambiental të mbledhjes së OASH në fillim të qershorit, në diskutim me një qytetar që kishte dalë në komision.

Në një tjetër përgjim mes oficerit Mitat Cani dhe një qytetari E.M, janë gjetur mesazhe komprometuese të së njëjtës natyrë.

“Shef me shumë zor, por jam shumë i detyruar të ta kërkoj atë kafen, këta kërkuan shumë dhe s’kam nga ja mbaj, kështu të lutem sa më shpejt,” citohet mesazhi.

Përgjimet e prokurorisë kanë zbuluar edhe raste kur lejet, që duhej të ishin vetëm për bizneset dhe personat që shkonin në punë, lëshoheshin në mënyrë preferenciale përmes ndërhyrjeve të paligjshme ‘me mesazhe’ të personave nën hetim, të cilët ndërhynin në portalin elektronik të Policisë së Shtetit.

Në një mesazh dërguar kryekomisar Ervin Dervishit nga një numër i paidentifikuar, është gjetur  një listë me targa dhe kërkesa.

“Vini, nëse është e mundur të kemi leje pa limit orari për makinat tona. Janë 2 të Luanit, dy të miat dhe një e Orgestit, vëllait tim,” thuhet në njërin nga mesazhet e gjetura nga hetimet.

Me në sfond këto abuzime dhe denoncimet për ryshfete e leje preferenciale, qeveria u tërhoq nga masat administrative të marra ndaj qytetarëve më 17 prill.

Drejtori i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, Muhamet Rrumbullaku i tha BIRN në një bisedë telefonike se kishte pasur “ankesa të shumta nga qytetarët”, të ngjashme me ato të zbuluara nga prokuroria e Korçës, por ai nuk ishte në gjendje të jepte detaje mbi këto ankesa.

Në një prej daljeve të shpeshta në Facebook gjatë pandemisë, kryeministri Edi Rama njoftoi se të gjitha gjobat dhe heqjet e patentave për tre vjet për shkelje të Aktit Normativ faleshin dhe nga ai moment gjithçka fillonte nga zero.

“Gjobat, patentat e marra për 3 vjet dhe makinat e bllokuara për shkelje gjatë këtyre javëve do t’u kthehen të ndëshkuarve, jo sepse nuk gabuan, po sepse sidoqoftë jemi një familje e madhe në një situatë të jashtëzakonshme,” arsyetoi kryeministri në një status të shkruar në gërma kapitale, për të njëjtët njerëz që i kishte akuzuar se përhapeshin rrugëve “si virus shoqëror, për t’u kthyer në baza ushtarake të armikut”.

Një ditë më vonë, Rama njoftoi se lejet për të qarkulluar në oraret e lejuara do të lëshoheshin direkt në platformën qeveritare e-Albania, për të shmangur fluksin e e-maileve dhe kohën e pritjes.

Ndryshe nga pretendoi kryeministri, hetimi i SHÇBA-së dhe i Prokurorisë së Korçës sugjeron se lëshimi i lejeve nga Policia e Shtetit ishte kompromentuar.

“Ka ndërhyrje në këto adresa e-mailesh nga persona që mund të kenë akses në sistemet kompjuterike të Policisë së Shtetit (help-desk),” thuhet ndër të tjera në materialin që prokuroria i vuri në dispozicion Gjykatës së Korçës për të kërkuar pezullimin nga detyra të 6 oficerëve.

Hetimet kanë zbuluar abuzime edhe përtej datës 18 prill, ditën kur u njoftua se lejet do të lëshoheshin menjëherë në e-Albania. Nga hetimi rezulton se pas bllokimit të një autobusi të një kompanie udhëtimi dhe patentës së shoferit që po sillte pasagjerë nga Greqia në Shqipëri në mes të Majit – në një kohë kur kjo nuk lejohej, për mjetin u nxorën leje lëvizjeje nga Policia e Shtetit pas datës së bllokimit, që u përdorën më pas për të kryer zhbllokimin e tij dhe kthimin e patentës.

Skema e dyshuara e korrupsionit

Prokuroria e Korçës dhe SHÇBA kanë zbuluar një skemë abuzimesh që dyshohet se fillonte me mbështetjen e kryekomisar Ervin Dervishit, shef i Sektorit të Menaxhimit të Trafikut Urban dhe Interurban në Drejtorinë e Policisë Korçë, anëtarët e komisionit të OASH: nënkomisarët Agron Hima, Mitat Cani, Kujtim Nuke, Oltion Hyka dhe Oficerin e Policisë Gjyqësore për Trafikun Rrugor pranë Drejtorisë së Policisë Korçë, Edmond Terolli.

Në dy vendime; i pari më 16 qershor dhe i dyti më 26 qershor, Gjykata e Korçës vendosi fillimisht pezullimin e tyre nga detyra dhe më pas transferimin e çështjes për akuzat e korrupsionit pranë Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion në Tiranë.

Nga hetimet, Prokuroria thotë se ka zbuluar se një sërë mjetesh dhe drejtuesish ishin penalizuar për moszbatim të aktit normativ të 15 marsit për masat kundër COVID-19. Pasi kishin marrë dënime maksimale, të ndëshkuarit ishin rikthyer në të njëjtën komision, i cili në pak javë kishte nxjerrë një vendim të ndryshëm nga i pari, duke i rrëzuar masat administrative.

Prokuroria thotë se vendimet e para të OASH mund të ankimoheshin në gjykatë, por qytetarët janë rikthyer përpara së njëjtës trupë administrative. Nga hetimet rezulton se në herën e dytë, komisioni kishte ndryshuar arsyet se pse ndëshkoheshin shoferët, duke hequr shkeljet e aktit normativ dhe duke vendosur gjoba për shkelje të tjera.

Hetimet kanë nxjerrë se procesverbalet e mbajtura në OASH në rishikim të çështjeve janë krejt të ndryshme nga aktet e konstatuara nga agjentët e policisë në terren.

Kështu, nëse agjentët në terren kishin konstatuar shkelje të aktit normativ dhe vetë OASH në vendimin e parë kishte dhënë masë ndëshkimi për këtë shkelje, në vendimin e dytë, shkelja ishte zbutur deri në gjoba 1 mijë lekë.

Prokuroria pretendon se ka gjetur në dosje praktika ‘leje daljeje’, të cilat janë lëshuara pas ndalimit nga policia të shoferëve gjatë pandemisë. Sipas prokurorisë, disa nga këto ‘leje dalje’ ishin fotografi nga celularë që më pas ishin dërguar për printim dhe përfshirë në dosje, edhe pse i përkisnin një kohe më të vonë se ndalimi.

Prokuroria po ashtu pretendon se në dosje ishin futur në një kohë të dytë dokumente të bizneseve e NIPT-e të personave të tjerë me të njëjtin mbiemër, të afërm të të ndaluarve, që më pas ishin marrë parasysh nga OSHA për të anuluar masat e para.

Mbrojtësit ligjorë të oficerëvë të dyshuar dhe ata vetë i kanë kundërshtuar masat e marra për pezullimin nga detyra. Oficerët kanë mohuar shkeljet dhe kanë pretenduar se nuk e dinin si kishin ndryshuar dokumentet apo rrethanat e ndalimeve.

Kryekomisari Ervin Dervishi, i pyetur prej avokatit Elsion Sadiku gjatë masës së pezullimit nga detyra, pretendon se nuk ka bërë asnjë shkelje.

“Ndikimi im nuk ka qenë në asnjë moment i paligjshëm,” thotë ai.

Dervishi pretendoi se dëshmitarëve u ishte bërë presion nga akuza. Duke iu referuar rastit të një kompanie që transporton udhëtarë në drejtim të Greqisë, Dervishi tha se shoferit dhe pronarit u është bërë presion për të treguar që kishin paguar para.

Ndërkohë, avokati i tij Sadiku i tha gjykatës se nuk ishte bërë asnjë shkelje, as nga Dervishi dhe as nga anëtarët e OASH. Ai tha para gjykatës se në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, oficerët kishin përballuar një fluks me 70 mijë kërkesa për leje, ndërkohë që urdhrat azhornoheshin çdo ditë.

Edhe avokati Denis Mekollari që mbronte oficerin Oltion Hyka pretendoi se nuk ekzistonte “asnjë dyshim që (klienti i tij) ka konsumuar elementë të veprës penale”.

Ndërsa avokati Nevzat Tarelli, i cili mbronte disa nga oficerët nën akuzë, pretendoi gjatë seancës për vendosjen e transferimit të çështjes për kompetencë se ishin shkelur procedurat. Ai tha se prokuroria kishte marrë pesë ditë shtesë hetimi, por nuk kishte sjellë prova edhe pse çështja ishte për korrupsion dhe pse duhej të transferohej në Tiranë.

“Ta shoqërosh me fenelina!”

Përveç lejeve, përgjimet e autorizuara nga Prokuroria për 6 oficerët e policisë rrugore në qarkun Korçë tregojnë se ata ndërhynin vazhdimisht në punën e vartësve që ndodheshin në rrugë dhe se ata ishin përpjekur të ndikonin hetimin, duke u mësuar dëshmitarëve se çfarë duhej të deklaronin në Prokurori.

Në një prej përgjimeve të cituara në hetim, Edmond Terolli duket se i bën presion një agjenti që të lërë pa ndëshkuar një mik të tij që ishte ndaluar për konsum alkooli. I ndaluari që merr Terollin në telefon thotë se “Po pi, keq”, ndërsa telefoni i kalohet një agjenti policie që identifikohet si Berti.

Terolli i thotë agjentit ta lërë të ikë shoferin se e ka “mik të mirë”. Por oficeri në krahun tjetër kundërshton. “E ke mik të mirë, po s’po e shikojmë që është mirë o komandat,” i thotë ai, duke iu referuar ndoshta gjendjes së dehur të shoferit.

Terolli menjëherë përgjigjet: “Spiro me udhëheqjen jam këtu se e di ç’të bëj apo jo” dhe një fjali më tutje “Atë të ma shoqëroni me fenelina ta shpini tren”, duke i kërkuar vartësve ta nderonin shkelësin.

Oficeri në krahun tjetër fillimisht përgjigjet i nevrikosur. “Unë po e shoqërova, e shoqëroj me ato reskat (prangat) ore,” thotë ai dhe ndërsa Terolli zbutet, pranon ta lërë shoferin të ikë.

Ndërhyrje të ngjashme bëhen edhe për lejet e daljeve gjatë periudhës së karantinës. Prokuroria e Korçës megjithatë nuk duket se ka identifikuar të gjithë personat e përfshirë në korrupsion aktiv. Në një rast, një qytetar që kërkon 5 leje dalje për pesë targa të ndryshme, referohet si i paidentifikuar edhe pse hetuesit kanë pasur veç targave të makinave të lidhura me personin edhe të afërm të tij edhe numrin e telefonit.

Ndërkohë, në përgjime përmenden edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe vetë drejtori i SHÇBA, Muhamet Rrumbullaku. Në një pjesë të hetimit rezulton se një nga të ndaluarit ka përdorur emrin e një drejtuesi policie me të cilin ishte komshi në Tiranë, por hetimi nuk duket se ka gjetur nëse kishte apo jo ndërhyrje prej këtij.

Ndërsa Rrumbullaku përmendet si personi që kishte penguar përpjekjet për të bllokuar hetimin. Në 5 qershor, Dervishi regjistrohet në përgjim ambiental ndërsa shan Rrumbullakun me fjalë të rënda. Në një bisede të mëparshme, ai thotë se ishte shqetësuar shumë.

“Vazhdon ajo, duhet të gjejmë ato, se nuk kanë gjë konkrete, i marrin i bëjnë presion aty dhe nanji edhe thyhet. Thyhet se kanë frikë njerëzit. Jo, ideja se duhet me i taku veç e veç (dëshmitarët) me lezet se mos ju thërret njeri, mos ta hani presionin, se s’kanë asnjë gjë, s’kanë asnjë dokument,” citohet Dervishi duke iu referuar hetimit.

Ndryshe nga sa sugjeron përgjimi, avokati i Dervishit mohoi gjatë seancës së masës së sigurisë të kishte pasur përpjekje për të ndikuar në hetim, ndërsa e konsideroi masën e pezullimit të tepruar/reporter.al/