FOTO-VOA

Shqipëri, tenderat në kohën e pandemisë, nën akuzë 4 zyrtarë të Mbrojtjes

Në Shqipëri, 4 zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes janë marrë të pandehur nën akuzat e “Shkeljes së barazisë në tendera” dhe “Shpërdorimit të detyrës”, lidhur me dyshimet për abuzime në dy tendera të organizuar vitin e kaluar në fillim të pandemisë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAJ) njoftoi të hënën se “ka përfunduar hetimet dhe do dërgojë për gjykim kërkesën për dërgimin në gjyq të procedimit penal në ngarkim të pandehurve: Ylli Imeri, Dafina Keça, Andrea Dapaj, të akuzuar kryerjen e veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 e 25 i Kodit Penal, dhe Sokol Zaimit, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 I Kodit Penal”.

Bëhet fjalë për një tender I ndarë në dy kontrata. E para është ajo e blerjes së paketave ushqimore që do të shpërndaheshin për familjet në nevojë gjatë kohës së masave shtrënguese që çuan në blokimin e plotë të lëvizjesve në vend, për të parandaluar përhapjen e pandemisë. “Konkretisht nga ana e autoritetit kontraktor Ministria e Mbrojtjes në datë 25.3.2020, është bërë shpallja e procedurës me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës/mallra, kontratë e cila është ndarë në dy lote. Loti I, “Blerje paketa ndihme për familjet në nevojë për përballimin e emergjencës së shkaktuar nga rënia e pandemisë së virusit COVID-19, për nevoja të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit”. Fondi limit ishte 874.215 euro, dhe kontrata ju dha ofertës prej 838.264 eurosh, kompanisë EUROVIA shpknj.

Ishte opozita ajo e cila denoncoi rastin duke zbuluar se kompania EUROVIA, ishte një shoqëri që vepronte në Maqedoni dhe që kishte kryesisht në qendër të aktivitetit pajisje elektronike, por që vetëm pak dita para shpalljes së garës, kishte përfshirë edhe furnizimin me mallra ushimore.

Kontrata tjetër, kishte si objekt “Blerje materiale mbrojtëse për mbështjetjen e personelit të Forcave të Armatosura të angazhuar në përballimin e emergjencës së shkaktuar nga rënia e pandemisë së virusit COVID-19, për nevoja të SHPFA”. Edhe në këtë rast nuk është zhvilluar garë, por është përzgjedhur nga autoritetet kompania XPERT SYSTEMS sh.p.k. e cila ka ofruar 331.864 euro nga fondi limit prej 339.380 eurosh.

Sipas SPAK “të pandehurit Ylli Imeri, Dafina Keça, Andrea Dapaj me veprimet e tyre si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë favorizuar subjektet fituese në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi”, ndërsa zyrtari i katërt, i marrë i pandehurit Sokol Zaimi, me detyrë Drejtor (i komanduar), i Drejtorisë së Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit, rezulton sipas SPAK-ut që “me mosveprim nga ana e tij, ka sjellë si pasojë përllogaritjen e fondit limit në një vlerë më të madhe” lidhur me kontratën e parë.

Ish ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, mbrojti në atë kohë procedurat e ndjekura nga institucionet nën përgjegjësinë e Ministrisë duke deklaruar se “gjithshka është bërë sipas ligjit” e duke u shprehur se akuza e opozitës “s’është veç rivënia në skenë e versionit më të fundit të Babales”, duke ju referuar personit që tentoi të fuste në kurth ish Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafa përmes akuzave ndaj vëllait të këtij të fundit, të cilat Gjykata i cilësoi “të fabrikuara”. Një proces, i cili gjeti fajtor sit ë përfshirë në këtë skenar dhe ish deputetin demokrat Ervin Salianji.

Të hënën në mbrëmje, ish deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, i cili denoncoi përmes disa daljesh publike radhazi, në prillin e vitit të kaluar, rastin, u shpreh se “abuzimi i Ministrisë së Mbrojtjes me tenderin e ushqimeve për familjet në nevojë gjatë pandemisë prej sot është i provuar”. Megjithatë ai shprehet se ashtu si dhe për rastin e tenderave për blerjen e pajisjeve mjekësore gjatë pandemisë, të denoncuar po nga PD “për fat të keq, SPAK nuk i shkoi deri në fund këtyre çështjeve, duke ngritur akuza vetëm për nëpunës të nivelit të ulët drejtues. SPAK dështoi të ndëshkojë hajdutët e vërtetë, Edi Rama, Olta Xhaçka dhe Ogerta Manastirliu, që dolën garant për vjedhjen, u perpoqën të mashtrojnë shqiptaret, si dhe sulmuan dhe shpifën ndaj opozitës që denoncoi skandalin”, deklaroi zoti Alibeaj./VOA