Gazetari i News 24 në Lezhë, Elidon Ndreka Foto: BIRN

Shqipëri, sulmohet me eksploziv shtëpia e gazetarit nga Lezha

Një sasi lëndë plasëse ka shpërthyer në orët e para të së premtes në portën e oborrit të shtëpisë së gazetarit të News 24 në Lezhë, Elidon Ndreka, një ngjarje kriminale e dënuar me forcë nga Unioni i Gazetarëve.

Shpërthimi ndodhi pak minuta pas mesnate në banesën e gazetarit në fshatin Balldre, ndërsa fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Shpërthimi ka qenë mjaft i fuqishëm, ndërsa në ato momente gazetari Ndreka bashkë me pjesëtaret e tjerë të familjes kanë qenë në gjumë.

Ai e lidh ngjarjen me detyrën që ushtron prej vitesh si gazetar terreni, pasi thekson se ai dhe familjarët nuk kanë konflikte personale, teksa shton se njëra nga vajzat është traumatizuar në momentin e shpërthimit.

Gazetari Elidon Ndreka ka besim se ngjarja do te zbardhet nga organet e policisë dhe drejtësisë.

“Rreth orës 12 e 30 të mëngjesit ka ndodhur një shpërthim paranë portës së banesës time. Një shpërthim tritoli sipas ekspertëve të policisë. Nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale në portën e banesës,” tregoi Ndreka.

“Nuk di të drejtoj gishtin nga një person por shpresoj që policia dhe drejtësia ta zbardhë dhe të shkojë drejt zbardhjes,” shtoi ai.

Ndreka e lidh sulomin me eksploziv ndaj banesës së tij me profesionin dhe sqaroi se prindërit e tij të moshuar nuk kanë konflikte që mund të justifikojnë një sulm të tillë.

“Kjo ngjarje është mjaft e rëndë dhe do të doja që çdo koleg ta mendojë si për vete, pasi në shtëpi jetoj me babin, mamin, bashkëshorten dhe 2 vajzat,” u shpreh Ndreka.

Gazetari nga Lezha shpjegoi se nga shpërthimi vajzat e tij janë traumatizuar; megjithatë, ai theksoi se mbetej i vendosur për ta vazhduar misionin e tij si gazetar.

Si në vendin e ngjarjes si dhe nga kamerat që ndodhen në shtëpinë time. Janë sekuestruar pamjet filmike dhe do gjendet.

“Ngjarje të tilla të japin kurajo për të vazhduar edhe më tej dhe do të vazhdoj,” tha ai.

Në lidhje me ngjarjen kanë nisur menjëherë hetimet, ndërsa ende nuk është përcaktuar sasia dhe lloji i lëndës plasëse që ka shpërthyer.

Sipas burimeve të policisë në zonë janë sekuestruar disa kamera sigurie të cilat mendohet se kanë filmuar një autoveturë nga e cili ka dalë një person dhe ka vendosur lëndën shpërthyese dhe është larguar, por deri më tani nuk ka asnjë të shoqëruar si të dyshuar.

Për sulmin ndaj gazetarit Ndreka ka reaguar edhe Union Gazetarëve Shqiptarë, duke e cilësuar si një ngjarje të rëndë kriminale kundër lirisë së medias në vend.

“Unioni i Gazetareve Shqiptare e dënon këtë krim me gjithë forcën,” tha UGSH nëpërmjet një njoftimi për shtyp, duke kërkuar nga organet lig zbatuese ta zbardhin ngjarjen.

“E konsiderojmë këtë akt, si ngjarjen më të rëndë kriminale të ndodhurndaj një gazetari dhe familjes së tij dhe presim pa humbur kohë zbulimin dhe vënien para ligjit të autoreve të këtij krimi,” përfundoi Unioni.