Facebook - Foto: REL/AFP

Shqipëri, rritje shqetësuese e numrit të rasteve të shantazheve përmes rrjeteve sociale

Policia e Shqipërisë prej disa kohësh ka evidentuar me shqetësim rritjen e rasteve të shantazheve në rrjetet sociale.

Në një njoftim, Policia e Shtetit thekson se përdorues anonimë, të cilët nga rastet e deritanishme rezultojnë shtetas të huaj, krijojnë profile duke përdorur emra të rremë që përkojnë me emra të përzgjedhur rastësisht që të lënë të kuptosh se janë emra qytetarësh shqiptarë.

Pasi hapin këto profile, autorët krijojnë miqësi pas miqësie duke u bazuar në njohjet që krijohen nga profilet e rrjeteve sociale në mënyrë që të bëhen të besueshëm dhe po në të njëjtën kohë targetojnë viktimat e tyre.

“Pasi krijohet besimi tek miqtë që kanë krijuar se profili i hapur i përket rrethit të tyre të njohjeve fillojnë të dërgojnë mesazhe me qëllim që të krijojnë komunikime private. Komunikimi ndërpritet kur autorët mësojnë të dhëna personale dhe të dhëna të cilat do të krijonin shqetësime për të prekurit nga këto miqësi të rreme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Pas kësaj, sipas Policisë, autori fillon të shantazhojë personin me bërjen publike të të dhënave të marra duke shfrytëzuar dhe njohjet që ka  personi në rrjetet sociale. Për të ndaluar shantazhin dhe për të fshirë të dhënat që ka zotëruar, autori i kërkon personit vlera të ndryshme monetare që duhet t’i dërgohen atij nëpërmjet kompanive të ndryshme financiare.

Nëse ata refuzojnë, përdoruesi do t’i kërcënojë se do bëjë publik informacionin e tyre personal.

Sipas evidentimeve, personat e prekur janë të moshave të ndryshme.

Policia u bën thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë që të bëjnë kujdes për sa i përket komunikimit në rrjete dhe për këtë të zbatojnë me korrektësi disa masa sigurie gjatë komunikimit, të cilat janë: Të mos japin të dhëna personale apo të dhëna sensitive që u përkasin atyre, të mos komunikojnë me profile që janë në rrethin e tyre të njohjeve, por që nuk kanë komunikuar kurrë më parë me ata, të sigurohen që profilet u përkasin emrave realë të personave që përfaqësojnë, të kenë parasysh që autorët mund të veprojnë në mënyra të ndryshme për të joshur apo për të marrë të dhënat që kërkojnë, me qëllim përdorimin e tyre në një kohë të mëvonshme.