Foto: Sali Berisha, Facebook

Shqipëri: Prokuroria e Posaçme mbyll hetimet mbi privatizimin e ish klubit sportiv Partizani

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për rastin e privatizimit të ish-klubit sportiv Partizani, për të cilin ka ngritur akuzë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe 3 personave të tjerë.

Avokatët e të 5 të pandehurve u paraqitën më25.09.2024 në Prokurori për të tërhequr aktet. Tanimë ata kanë kohë 10 ditë për të paraqitur kundërshtimet e mundshme, përpara se prokurorët e çështjes t’i drejtohen Gjykatës për të kërkuar nisjen e procesit gjyqësor.

Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim me Malltezin, ndaj të cilit është ngritur akuzë dhe për pastrim parash. Sipas Prokurorisë, ish-kryeministri, ka favorizuar dhëndrin e tij, një nga ish-pronarët e truallit, mbi të cilin më pas, u ngrit një kompleks pallatesh.

Nën akuzë për korrupsion është dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, ndërsa akuza për pastrim parash është ngritur dhe ndaj Xhimi Begejës, bashkëpronar i truallit si dhe ortak së bashku me Malltezin e Bektashin, në kompaninë Homeplan, e cila ndërtoi pallatet.

Për pastrim parash akuzohet dhe Andia Pustina, studio ligjore e së cilës mendohet të ketë kryer veprimet që lidheshin me kompaninë Homeplan.

Berisha i hodhi poshtë akuzat e ngritura ndaj tij duke folur për manipulime faktesh e duke theksuar se sipas tij procesi i privatizimit të ish Klubit Partizani është bërë në përputhje me ligjet dhe pa asnjë shkelje./VoA