Foto: Ilustrim

Shqipëri, operacioni policor vë në pranga të dyshuarin në kërkim ndërkombëtar

Një person i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar nga policia në Shkodër.

Sipas njoftimit të bërë nga Policia e Shtetit, i dyshuari është arrestuar në kuadër të operacionit policor `Trushi`.

Policia poashtu ka bërë të ditur se i dyshuari i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, është dënuar nga drejtësia italiane për trafikim me narkotikë.

Sipas policisë, arrestimi i të dyshuarit  Fran Malocaj, 53 vjeçar, është bërë pas lokalizimit të tij në qytetin e Shkodrës.

`Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Apelit ne Ankona / Itali, në vitin 2018, e ka dënuar me 6 vjet burg, për kryerjen e veprës penale “Trafik narkotikësh, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Sipas njoftimit, i dyshuari në bashkëpunim me persona të tjerë ka trafikuar nga Shqipëria drejt Italisë, një sasi lënde narkotike të llojit kokainë.

`Arrestimi provizor u krye me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957 dhe marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë`, njofton Policia e Shtetit.