Ilustrim

Shqipëri, operacioni "Brothers" vë në pranga tre persona të dyshuar për trafikim me emigrantë

Policia e Shtetit përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ka arrestuar tre persona të dyshuar dy prej tyre vëllezër, nën dyshimet për trafikim me emigrantë.

Policia ka bërë të ditur se arrestimi i të dyshuarve është bërë në kuadër të një operacioni nga specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Nr. 5.

Policia e Shtetit ka njoftuar se në kuadër të këtij operacioni, në kundër të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, drejt vendeve të BE-së, specialistët kanë bërë arrestimin në flagrancë të të dyshuarve F.M., 25 vjeçar, F.M., 25 vjeçar, të cilët janë vëllezër mes vete dhe E.T., 29 vjeçar.

“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se në kohë të ndryshme organizonin trafikimin e emigrantëve nga Lindja e Mesme, nëpërmjet kufiri Shqipëri-Greqi, në drejtim të Tiranës dhe më pas në drejtim të Kukësit, kundrejt përfitimit monetar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Materialet në lidhje me këtë rast sipas njoftimit, i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” e kryer në bashkëpunim.