Kuvendi i Shqipërisë - Foto: REL/Reuters

Shqipëri, miratohet paketa 'anti-shpifje', 82 deputetë votojnë pro në Kuvend

Është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë paketa anti-shpifje, e cila ka shkaktuar shumë debate ditët e fundit midis gazetarëve dhe mazhorancës socialiste, raporton Top Channel.

82 deputetë dhanë votën e tyre për paketën për të cilën kryeministri Edi Rama thotë se do të luftojë lajmet e rreme dhe shpifjet në median online, ndërsa gazetarët e konsiderojnë kapje dhe kontroll mbi median.

Vetëm 13 deputetë u shprehën kundër kësaj pakete, 5 abstenuan dhe 5 deputetë nuk morën pjesë në votim, raporton TCh.

Me paketën e re, Autoriteti i Mediave Audiovizive merr kompetenca për gjobitjen dhe deri në mbylljen e portaleve nëse gjykon se kanë publikuar shpifje apo lajme të rreme. Gazetarët argumentojnë se AMA nuk mund të marrë kompetenca që i takojnë gjykatës.

Tashmë do të jetë Presidenti i Republikës që do të vendosë nëse do e dekretojë ligjin apo do e rikthejë për shqyrtim në Parlament, përfundon Top Channel.

Asosascioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i është bashkuar mediave,organizatave dhe shoqërisë civile në Shqipëri si dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat po kërkojnë nga qeveria shqiptare e Edi Ramës, të tërheqin paketën ‘anti-shpifje’ ndaj mediave.