Kuvendi i Shqipërisë

Shqipëri, miratohet marrëveshja për Portin e Durrësit

Deputetët socialistë votuan projektin kontravers të qeverisë për ndërtimin e një “Dubai” në Portin e Durrësit, ndërkohë që pronarët përfitues të njërës prej kompanive u mbajtën të fshehtë nga qeveria.

Kuvendi miratoi vetëm me votat e shumicës në orët e para të mëngjesit të së premtes marrëveshjen për Portin e Durrësit, edhe pas kundërshtimeve të opozitës që e konsideron projektin si jotransparent dhe në dëm të interesit publik.

Edhe pas debatit parlamentar, qeveria mbajti sekret një pjesë të marrëveshjes që lidhet me të dhënat e pronarëve përfitues të njërës prej kompanive të projektit.

Kryeministri Edi Rama e mbrojti marrëveshjen në një fjalim të gjatë me nota teatrale, ku recitoi Nolin e Konicën dhe e krahasoi veten me Ismail Qemalin.

Rama mori meritat e negocimit të kontratës me investitorin arab, Muhamed Alabbar, por nuk dha shpjegime për pikpyetjet që qëndrojnë mbi këtë marrëveshje dhe çdo të ndodhë me portin  e vjetër të mallrave.

Deputetët e opozitës akuzuan qeverinë se po kalonte një nga investimet më të mëdha në vend pa asnjë garë, dhe në shkelje të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian.

Marrëveshja lidhet mes qeverisë shqiptare dhe kompanive Eagle Hills Real Estate Development, Albania Seaports Development Company sh.a dhe Nshmi Development L.L.C, për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit” për një investim 2.1 miliardë euro që synon të kthejë portin e vjetër në një atraksion turistik me hotele dhe rrokaqej dhe një port jahtesh.

Agron Shehaj nga Partia Demokratike ngriti pyetje për pronarët fundorë përfitues të kompanive investuese dhe garantuese të projektit.

“Kush jane pronarët e kompanisë NSHMI Development L.L.C?”- pyeti ai ministren e Financave Delina Ibrahimaj, duke shtuar se qeveria nuk kishte bërë të ditur pronarët dhe as kapacitetin financiar të saj në kontratë.

Ibrahimaj deklaroi në seancë se të dhënat ishin mbajtur konfidenciale “për t’i rritur sigurinë projektit”.

“Përsa i përket kompanisë NSHMI në fakt është një seksion konfidencial i kontratës, i cili është kërkuar nga ne për të shtuar sigurinë në këtë projekt,” u përgjigj ajo.

Ndërsa Rama u mjaftua duke përmendur adresën e regjistrimit të këtyre kompanive në Abu Dhabi dhe pranoi se garantët ishin konfidencialë.

Deputetja Jorida Tabaku e krahasoi marrëveshjen me projektet e inceneratorëve dhe problematike për procesin e integrimit.

“Si ka mundësi që qeveria shqiptare zgjodhi një procedurë pa garë në kundërshtim me MSA-në?”- tha ajo, duke shtuar se ky investim do t’i shërbejë qeverisë për projektin e “pasaportave të arta”.

Ajo iu referua kotratës, ku parashikohet ofrimi i pasaportës shqiptare apo rezidencë për të huajt që pranojnë të blejnë një apartament në pallatet që do të ndërtohen në Portin e Durrësit, një skemë e kritikuar nga BE si e rrezikshme.

Projekti për Portin e Durrësit u miratua si investim strategjik në dhjetor 2021 me subjekt aplikues “Symphony Real Estate Development sh.p.k”, por në tetor të këtij viti Komiteti i Investimeve Strategjike vendosë të transferojë statusin “investitor strategjik” tek shoqëria e posaçme që do të krijohet me përbërjen e shoqërive “Albanian Seaports Development Company (ASDC)” sha, dhe “Eagle Hills Real Estate Development”.

Kompania investuese do të përjashtohet nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin e strehimit social.

Projekti do të zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600  m2 në Portin e Durrësit si dhe në Marinën e portit në dy faza.

Financimi i investitorit strategjik do të sigurohet, sipas kontratës,  përmes kombinimit të: financimit të kapitalit nga Eagle Hills-i; financimit të borxhit të kontribuuar nga, ose në emër të, Eagle Hills-it; të ardhurave e shitjeve të grumbulluara prej klientëve nga investitori strategjik; huamarrjes nga institucionet financiare, dhe investimeve nga investitorë palë e tretë, të organizuara nga Eagle Hills-i.

Për garancitë e investimit, marrëveshja parashikon që Eagle Hills t’i dorëzojë qeverisë shqiptare pasqyrën e vërtetuar të llogarisë së bankës, ku evidentohet se aksionarët ose ortakët direkt ose indirekt mbajnë në llogaritë e tyre një shumë që korrespondon me tridhjetë për qind (30%) të financimit të nevojshëm për zhvillimin e projektit.

Në relacion parashikohet që marrëveshja për “Marinën Durrës” detyron investitorin strategjik që t’i paguajë shtetit një tarifë vjetore të barabartë me 2 për qind të xhiros vjetore që do të grumbullojë nga Marina, bazuar në pasqyrat financiare për çdo vit financiar.