Shqipëri, largohet nga puna polici që sulmoi gazetaren e Top Channel

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, ka njoftuar se polici i cili ka shtyrë gazetaren Anila Hoxha dhe një operator dje, është larguar nga puna.

“Dua t’ju informoj se efektivi i policisë është larguar nga detyra. Drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i SHÇBA kanë komunikuar menjëherë me gazetaren, si dhe në bazë të kallëzimit të saj efektivi do të ndiqet penalisht”, ka shkruar ai në facebook.

Ministri i Brendshëm i ka kërkuar falje gazetares Anila Hoxha si dhe ka inkurajuar të gjithë qytetarët që t’i raportojnë policët që nuk sillen siç duhet.

“I kërkoj ndjesë dhe e falënderoj znj. Hoxha, si dhe iu bëj thirrje gjithë qytetarëve që ndeshen me efektivë të tillë policie të mos heshtin, por t’i denoncojnë. I garantoj se toleranca për këto shfaqje të shëmtuara si ajo e një dite më parë do të jetë zero. Gjej gjithashtu rastin t’u bëj thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit të mos ia lejojnë vetes të bien në këtë nivel, që i përjashton ata automatikisht nga radhët e uniformave blu”, ka theksuar ai.

Dje, një prej policëve është nervozuar nga fakti që mediat kishin kaluar shiritin e Policisë dhe ka shtyrë gazetaren Anila Hoxha dhe një operator.

Ata janë rrëzuar në tokë, në anë të një gremine.

Gazetarja Anila Hoxha ka pësuar lëndime dhe gërvishtje nga sjellja brutale e policit.

Shqipëri- Sulmohet gazetarja dhe ekipi i Top Channel (VIDEO) (kallxo.com)