Shqipëri, konfiskohen 905 patentë shoferë

905 patentë shoferë janë konfiskuar që nga fillimi i këtij viti nga ana e Policisë së Shtetit.

Këto patentë shoferë janë konfiskuar për shpejtësi të tejkaluar nga ana e vozitësve të Shqipërisë.

Një plan operativ i koduar me emrin “Tispol 2020”, i cili ka për qellim shtimin e masave për parandalimin e aksidenteve rrugore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë, në të gjithë Shqipërinë kanë vijuar dhe do vijojnë kontrollet me radar, për të evidentuar dhe ndëshkuar të gjithë ata drejtues mjetesh që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara duke u kthyer në rrezik potencial për jetën e tyre dhe përdoruesve të tjerë të rrugës.

“Në këtë kuadër, në të gjitha rrugët nacionale dhe në qytetin e Tiranës, qarkullimi i automjeteve monitorohet nga radarë Trucam dhe Petrol, të koaliduar konform normave dhe rregullave të vendeve të BE-së”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Policia gjithashtu ka njoftuar se kontrollet bëhen edhe në qarqet ku nuk ka radarë, ku monitorues janë Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, e cila ushtron kontrolle të befasishme.

Si rezultat i kontrolleve të pandërprera me radar, nga data 1 janar pra i këtij viti e deri ditën e djeshme  në të gjithë vendin janë konfiskuar 905 leje drejtimi, për shpejtësi tej normave të lejuara, deri në dyfish mbi normën e lejuar.

Policia ka dhënë edhe statistikat se ku janë konfiskuar këto patentë shoferë.

“280 nga Policia Rrugore e Tiranës; 214 nga Policia Rrugore e Durrësit; 135 Policia nga Policia Rrugore e Lezhës; 276 nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore që ka operuar në disa qarqe të vendit, si në Fier, Berat, Korçë, Vlorë, Shkodër, Dibër, Kukës, Elbasan e Gjirokastër”, thuhet tutje në njoftim të Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë Rrugore, në të gjithë vendin janë vendosur 1845 masa për shpejtësi mbi normat e lejuara, pa masë plotësuese pezullim të lejes së drejtimit.

Policia Rrugore do të shtojë më tej masat gjatë fundjavës dhe apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.