GETTY IMAGES

Shqipëri, konfirmohet rasti i parë i gripit të shpendëve

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë ka njoftuar se është konfirmuar rasti i parë i gripit të shpendëve në Durrës.

Gjurmimi i sëmundjes nga autoritetet ligjzbatuese ka nisur me një hetim të thelluar epidemiologjik menjëherë sapo Ministria ka marrë sinjalizimin e parë për ngordhje të pulave.

“Ndërsa vijoi gjurmimi dhe monitorimi prej sinjalizimit të parë për çdo ditë me testime, një kampion i marrë sot, datë 19 Mars 2022, analizuar nga laboratori i referencës së Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ka rezultuar pas analizimit me metodën molekulare të avancuar RT-PCR, me praninë e influencës aviare, H5N8. Hetimi epidemiologjik deri më sot flet për rast të izoluar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Sipas tyre, është vendosur karantinimi, udhëzuar për masat e sigurisë dhe higjenës që duhet të zbatohen, janë marrë të gjitha masat për kufizimin e përhapjes së kësaj sëmundje duke përcaktuar perimetrin e zonës nga e cila ndalohet lëvizja e shpendëve, produkteve dhe nëprodukteve të tyre.