Shqipëri, kapet një prej të dyshuarve për kontrabandimin e naftës nga Tunizia

Policia e Shtetit ka njoftuar se kanë ndaluar njërin nga organizatorët e kontrabandimit nga Tunizia, të 670 000 litrave naftë.

I ndaluari është E. S., 59 vjeç, banues në Durrës.

59-vjeçari dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin F. B. (aktualisht në kërkim), ka organizuar kontrabandimin me anije, nga Tunizia, të 670 000 litrave naftë, nëpërmjet fshehjes së sasisë, në balastrat që shërbejnë për balancimin e mjetit lundrues.

“Gjatë operacionit “Ari i zi”, u arrestuan në flagrancë 3 shtetas dhe u proceduan në gjendje të lirë 5, të gjithë pjesëtarë të ekuipazhit të anijes”- thuhet në njoftimin e policisë shqiptare më 26.01.2025.

Vijon puna për kapjen e shtetasit F. B., si dhe hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.