Cigare - Ilustrim nga Pixabay

Shqipëri, importi i cigareve bie në nivelin më të ulët në pesë vjet

Shqipëria importoi gjatë periudhës janar-gusht 2020 1685 tonë cigare, me një rënie prej 13% në krahasim me 1944 tonë cigare të importuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave në raportin mujor për të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore, tregojnë se importi i cigareve këtë vit është në nivelin më të ulët që nga viti 2015.

Shkaqet e rënies së importit të cigareve janë të panjohura.

Pak ditë më parë, një sasi prej rreth 600 kilogramësh cigare u kap kontrabandë në Shkodër me prejardhje nga Mali i Zi.

Të ardhurat e qeverisë shqiptare nga taksa e akcizës ranë me 9% në terma vjetorë këtë vit, gjë që duket se është ndikuar në veçanti nga rënia e importit të cigareve. Ndryshe nga cigaret, mallrat e tjerë të akcizës, si nafta, kafeja apo birra nuk kanë pësuar rënie të ndjeshme.

Gjatë periudhës janar-gusht Shqipëria importoi 336 mijë tonë karburant me një rënie prej vetëm 1% në krahasim me një vit më parë. (reporter.al)