FOTO: VOA GJYKATA KUSHTETUESE E SHQIPERISE

Shqipëri, dështon ruundi i dytë për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese

Në Shqipëri dështoi sot dhe rundi i dytë për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese.

Në garë janë 3 anëtare të kësaj gjykate, Fiona Papajorgji, Holta Zaçaj dhe Marjana Semini.

Për një kohë të gjatë posti i drejtuesit të Gjykatës u mbajt nga Vitore Tusha e vetmja nga anëtarët që i mbijetoi procesit të vetingut dhe qëndroi në detyrë deri në plotësimin e Gjykatës me të 9 anëtarët e saj të rinj, pasi dhe Gjykata e Lartë zgjodhi janarin e shkuar zëvendësuesen e saj si anëtare, Holta Zaçajn, pas tre perpjekjesh të dështuara, që nga vitit 2017. Zonja Zaçaj, e cila është në garë për kryetare, ka megjithatë një mandat, i cili i skandon vitin e ardhshëm.

Ligji parashikon që Kryetari “zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtuese, për një periudhë 3 vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Në rast se ka më shumë se një kandidat dhe gjatë votimit asnjëri prej tyre nuk merr shumicën e parashikuar të votave, bëhet një votim i ri…”.

Në votimin e parë Papajorgji mori 3 vota, Semini 2 dhe Zaçaj 4 vota. Asnjëra prej tyre nuk siguroi kuotën minimale të nevojshme, prej 5 votash.

Edhe sot po ashtu, asnjë prej kandidatëve nuk siguroi shumicën e votave dhe sipas ligjit, pas raundit të dytë, do të duhej të vijohej “me votimin mes kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave”. Por as ky skenar nuk u realizua, duke qenë se të tre kandidatet morën një numër të barabartë votash, secila nga 3.

Në një situatë të tillë, raundi i tretë do të zhvillohet sërish mes tre kandidatëve. Ky raund është parashikuar për të hënën. Nëse asnjëra prej kandidateve nuk siguron 5 vota, atëherë ligji parashikon që Kryetari të caktohet me short./VOA