Shqipëri, BERZH i jep 100 milionë euro kredi Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për kompensimin e klientëve

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka miratuar dhënien e një kredie prej 100 milionë eurosh për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave në kuadër të ndihmës për përballimin e pasojave të pandemisë në Shqipëri. Fondet do të përdoren për nevojat e kompensimit të klientëve dhe që agjencia të sigurojë likuiditet.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka miratuar dhënien e një kredie prej 100 milionë eurosh për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave.

Fondi do të përdoret për të siguruar likuiditet rezervë për agjencinë si një masë mbështetëse pas ndikimit nga pandemia.

Presidenti i BERZH, Odile Renaud-Bassou, u shpreh i gatshëm për të ndihmuar Shqipërinë në tejkalimin e krizës.

“Ne jemi të vendosur të mbështesim Shqipërinë në rimëkëmbjen e saj eventuale nga ndikimi ekonomik i pandemisë dhe do të dëshironim që vendi të kthehej në një rritje të fortë dhe të qëndrueshme sa më shpejt të jetë e mundur. Një sektor bankar i shëndoshë dhe i sigurt është jetik dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar për të kontribuar në këtë drejtim.”

Fondet do të mbahen në dispozicion në rast të nevojës për kompensimin e klientëve të institucioneve financiare që përfitojnë nga skema e sigurimit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e konsideroi marrëveshjen si një sukses për vendin.

“Firmosja e kësaj marrëveshje është përmbyllja e suksesshme e një procesi të gjatë bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë Shqiptare, ASD dhe BERZH. Linja e kredisë prej 100 milion euro për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave është një shenjë besimi dhe mbështetjeje e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ndaj ekonomisë shqiptare dhe institucioneve të sektorit financiar.”

Në vazhdimësi, Agjencia e Sigurimit të Depozitave do të asistohet edhe nga një program bashkëpunimi teknik prej 270 mijë eurosh të financuar nga Fondi i Bashkëpunimit Teknik të Luksemburgut për të përmirësuar kapacitetet e këtij institucioni/OraNews/.