Ilustrim

Shqipëri: Arrestohet në flagrancë 48 vjeçari duke trafikuar emigrantë

Një 48 vjeçar është arrestuar nga Policia e Shtetit gjatë ditës së djeshme nën dyshimet për transport të paligjshëm të emigrantëve.

Sipas njoftimit të bërë nga Policia e Shtetit, i dyshuari është arrestuar pasi është kapur në flagrancë duke transportuar emigrant të paligjshëm.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit D. A., 48 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se i dyshuari kishte premtuar emigrantëve të paligjshëm kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit.

Policia ka bërë të ditur se nga kontrollet e kryera ka rezultuar se i dyshuari kishte transportuar me një mjet fugon edhe disa shtetas të tjerë nga vendet e treta, të cilët u gjetën nga policia të fshehur në një ambient të braktisur.

 Materialet në lidhje me këtë rast i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasit D. A., për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.