Shqipëri, arrestohen të dyshuarit për vjedhje gjërash me vlerë rreth 15 mijë euro
Policia e Shqipërisë njoftoi më 18.09.2024 për arrestimin e tre të dyshuarve për vjedhje të sendeve në vlerë rreth 15,000 euro në Tiranë.
Po ashtu, gjatë operacionit u arrestua edhe një 34-vjeçar, pronar i një argjendarie, i cili dyshohet se ka blerë sendet e vjedhura nga 3 autorët e dyshuar.
Policia ka njoftuar se janë sekuestruar sendet e vjedhura, automjeti me të cilin dyshohet se kanë lëvizur autorët, veshjet që kanë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve, si dhe aparatet e tyre celulare.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit L.B., 25-vjeç, E.X., 21-vjeç, dhe D.M., 23-vjeç, të tre banues në Fushë Krujë. Ata dyshohen për veprën penale – vjedhja e kryer në bashkëpunim.
Po ashtu, është arrestuar edhe F.C., 34-vjeç, banues në Fushë Krujë, për veprën penale – pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Sipas Policisë, nga veprimet hetimore dyshohet se më 13.09.2024, në rrugën “Astrit Losha”, shtetasi D.B., ka ruajtur shtetasin L.B., i cili ka hyrë në një banesë dhe ka vjedhur sende me vlerë (çanta të markave të kushtueshme dhe aksesorë të tjerë) me vlerë rreth 15,000 euro. Më pas bashkëpunëtori i tyre, shtetasi E.X. ka marrë këta dy shtetas me automjet dhe i ka larguar nga vendi i ngjarjes.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa nga sendet e vjedhura të gjetura në dyqanin e shtetasit F. C.
Materialet i kaluan Prokurorisë.