Shqipëri, arrestohen dhjetëra policë dhe pezullohen nga detyra nën dyshimin për ‘veprime korruptive’

Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Shqipëri, kanë kryer hetime në koordinim dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, prokuroria, më 10 nëntor 2020 ka regjistruar procedimi penal, ndërsa pas hetimeve janë arrestuar dhjetëra persona.

“Arrest në burg për 17 persona (punonjës policie), Arrest në shtëpi, për 14 persona (shtetas dhe punonjës policie), Pezullim nga detyra, 3 persona (punonjës policie). Sot me datë 08.04.2022, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Departamentin e Policisë Kufitare, kanë ekzekutuar masat e sigurimit personal caktuar nga ana e gjykatës”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se, gjatë hetimeve është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e punonjësve të Policisë së Shtetit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Kukës gjatë kohës së kryerjes së shërbimit në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, Kukës.

“Veprimet e kundraligjëshme konsistonin në rastet të shumta korruptive të kryera në vijimësi gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e këtyre punonjësve, duke detyruar shtetas shqiptar dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas”, thuhet në njoftim.

Në njotim është bërë e ditur se nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë, persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundraligjshme, ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre në vendet e BE-së, sa i përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.

“Pas një hetimi objektiv dhe të gjithëanshëm, me kërkesë  të Prokurorisë së Posaçme janë caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 34 masa sigurimi personal, nga të cilat 32 punonjës të Policisë Kufitare Kukës, me funksione të ndryshme brenda Drejtorisë të Kufirit dhe Migracionit Kukës, duke përfshirë edhe Drejtorin e kësaj Drejtorie, për kryerjen e veprave penale”, thuhet në komunikatë.

https://kallxo.com/lajm/arrestohen-25-police-gjate-aksionit-ne-vermic