Shqipëri, 81 raste të reja me COVID-19 dhe 1 viktimë

Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë, ka njoftuar se gjatë 24 orëve janë shënuar 81 raste të reja me COVID-19.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 267 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 81 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 50 raste në Tiranë, nga 4 raste në Shkodër, Korçë, Kavajë, nga 3 raste në Durrës, Fier, Elbasan, Mirditë, Tropojë, Kamëz, 1 rast në Kurbin”, është bërë e ditur në njoftim.

Po ashtu, në këtë shtet është shënuar edhe një viktimë nga coronavirusi.

“Në 24 orët e fundit, nuk e ka fituar dot betejën me sëmundjen në spitalin Covid2 “Shefqet Ndroqi”, një 80 vjeçar nga Tirana, i cili vuante nga shumë sëmundje”, është thënë më tej.

Tutje, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se janë shëruar edhe 41 persona nga COVID-19.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 41 qytetarë duke e çuar numrin e të shëruarve në 2352 që nga fillimi i epidemisë”, thotë MSh.

Në Shqipëri, që nga fillimi i pandemisë deri më sot, janë shënuar 4171 raste pozitive me COVID-19, 2352 persona të shëruar dhe 113 viktima. Kurse, në këtë shtet aktualisht janë 1706 raste aktive./TopChannel