Ilustrim

Shqipëri: 104 të prekur me coronavirus, zgjerohet harta, 4 të vdekur dhe 5 të shëruar

Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë ka bërë të ditur se ka shkuar në 104 numri i personave të prekur me koronavirus në Shqipëri.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu konfirmoi se harta e prekjes nga koronavirusi është zgjeruar dhe bëri apel për qytetarët të respektojnë masat e distancimit social, raporton A2.

“Vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar 15 raste të reja pozitive, në 45 testime të kryera. Harta e të prekurve nga COVID-19 shtrihet tashmë edhe në Vlorë, Shkodër dhe zgjerohet në Tiranë, Durrës, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik, si Lushnja, Kavaja, Fieri, Rrogozhina ku po punohet pa u ndalur nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e transmetimit të infeksionit. Kemi dhe një lajm të mirë në këto ditë të ngarkuara, sot kanë lënë shërbimin infektiv dhe 2 pacientë të tjerë, duke e çuar në 5 numrin e të shëruarve”, bëri të ditur Manastirliu.

Shefja e Departamentit të Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, informoi në detaje për situatën e COVID-19 në Shqipëri

Janë shënuar 2 humbje jete në 24 orët e fundit: Një 71 vjeçar me disa sëmundje bashkëshoqëruese dhe një 43 vjeçar, i cili kishte obezitet.

Janë shëruar 5 pacientë të shtruar në spitalin, te cilët kanë rezultuar me të dy testet të negativizuara për COVID-19.

Deri në këto momente testuar 856 janë raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 104 raste.