Ilustrim

Shqipe Selimi: Veterani nuk shihet me sy të mirë në Kosovë që prej publikimit të listave

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për deputete, Shqipe Selimi, që është edhe veterane e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka komentuar edhe listën e madhe të veteranëve, për të cilën ka pasur interpretime që është fryrë.

Madje për këtë ka pasur edhe një proces gjyqësor.

Sipas Shqipe Selimit, veterani sot nuk po shihet me sy të mirë dhe gjithë kjo për shkak të publikimit të listave të veteranëve.

“Veterani nuk shihet sot me një sy të mirë, sidomos pas publikimit të emrave. Nuk e gëzojnë respektin se si duhet të jetë për një veteran. Një ushtar i UÇK ka shkuar në luftë pa e ditë a kthehet në shtëpinë e vet. Ai ka shkuar pa e ditë që nesër do të jetë veteran, në politikë apo në biznes”, tha Selimi në “Kallxo Pernime”.

“Unë s’e kam përmend që jam veterane”, shtoi ajo.

“Shumica e veteranëve nuk janë të tenderëve. Shumica e veteranëve janë të papunë”, shtoi ajo duke thënë se nuk e përmend që është veterane e luftës.

Selimi ka treguar se është përfituese e 170 eurove si veterane e luftës.

“Unë jam një përfituese e 170 eurove si veterane, sepse kam qenë e papunë. Vazhdoj me marrë edhe tash. Unë po mendoj që njerëzit duhet të punësohen. Kur LVV të vijë në pushtet, do të shqyrtohen listat e veteranëve të luftës”, tha në mes tjerash ish-luftëtarja e UÇK-së, Shqipe Selimi.