Shqipdon Fazliu| Foto: Drejtësia në Kosovë

Shqipdon Fazliu i drejtohet Kushtetueses për procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit

Shqipdon Fazliu, njëri nga kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit, i cili nuk ka arritur që të listohet i pari në këtë garë, ka ushtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë së procesit.

Një njoftim të tillë e ka bërë përfaqësuesi i tij, avokati Flakron Sylejmani.

Sylejmani përmes rrjetit social “Facebook” ka treguar që përmes kërkesës në Gjykatën Kushtetuese e kanë kontestuar procedurën e zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përkatësisht vendimet e takimit të 212-të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ku u aprovua vendimi që kandidati Blerim Isufaj t’i propozohet presidentes për dekretim për Kryeprokuror të Shtetit.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN  e ka monitoruar në të gjitha fazat procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit.

Raporti i BIRN-it ka vënë në pah se në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka arritur t’i përmbushë në plotëni standardet e transparencës, ndërsa vendimet pasuese pas ankesave treguan për mungesë të një standardi të unifikuar në vlerësimin e kandidatëve.

Pas përfundimit të intervistimit dhe poentimit, kandidati më i poentuar ishte Blerim Isufaj, i cili kishte marrë 98 pikë nga 100 pikë sa ishte totali. I dyti është renditur kandidati, Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë si dhe Lulzim Sulejmani me 74.2 pikë.

Lidhur me vërejtjet për zhvillimin e këtij procesi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu takoi përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, për të diskutuar procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

https://kallxo.com/lajm/osmani-takoi-perfaqesuesit-e-shoqerise-civile-per-te-diskutuar-procesin-e-perzgjedhjes-se-kyeprokurorit-te-shtetit/

Raportin e detajuar të BIRN lidhur me monitorimin e procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit mund ta lexoni përmes këtij linku.

https://kallxo.com/gjate/transparenca-e-munguar-ne-konkursin-per-kryeprokuror-te-shtetit/

Njoftimi i plotë i avokatit Flakron Sylejmani:

Njoftim për media

Përmes këtij njoftimi, dëshirojmë të ju informojmë se sot me datën 28.04.2022 kemi paraqitur kërkesën e z. Shqipdon Fazliu në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës se zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit

Përmes kërkesës kemi kontestuar procedurën e zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit përkatësisht vendimet e takimit e 212-të Këshillit Prokurorial të Kosovës të datës 06.04.2022.

Objekt i kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë se procedurës së zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përkatësisht të Vendimeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës për emërimin dhe propozimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit.

Konsiderojmë se Këshilli Prokurorial i Kosovës, gjatë procesit të zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, ka shkelur të drejtat e parashtruesit të kërkesës të garantuara me Kushtetutë, përkatësisht të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të drejtën në mjet juridik, të drejtën për barazi para ligjit, të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes, të drejtat për mbrojtje gjyqësore e të drejtave të Kushtetutës së Kosovës si dhe të drejtat tjera të përcaktuara me Ligj dhe Konventa ndërkombëtare.

Gjithashtu, kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës se Kosovës të vendosë Masë të Përkohshme, përkatësisht të pezulloje procedurën e emërimit të kandidatit të propozuar, në pritje të rezultatit të procedurës në Gjykatë.

Me respekt,

Avokat Flakron Sylejmani