Shqetësime për privatësi, Italia ndalon përdorimin e ChatGPT-së

Italia është bërë vendi i parë perëndimor që ka bllokuar bashkëbiseduesin digjital, ChatGPT, raporton BBC.

Autoriteti italian i mbrojtjes së të dhënave shprehën shqetësime për privatësinë në lidhje me modelin, i cili u krijua nga start-up amerikan OpenAI dhe u mbështetet nga Microsoft.

Rregullatori ka thënë se do të ndalonte dhe hetonte OpenAI “me efekt të menjëhershëm”.

BBC raporton se ka pasur shqetësime mbi rreziqet e mundshme të inteligjencës artificiale (AI), duke përfshirë kërcënimin e saj ndaj vendeve të punës dhe përhapjen e dezinformatave dhe paragjykimeve.

Në fillim të kësaj jave, figurat kryesore të teknologjisë, përfshirë Elon Musk, kërkuan që këto lloje të sistemeve të AI të pezulloheshin mes frikës se gara për t’i zhvilluar ato ishte jashtë kontrollit.

Ndërkaq, Italia dyshon se ChatGPT ka shkelur rregulloren e saj për privatësinë. OpenAI ka 20 ditë kohë për të treguar se si do të trajtojë shqetësimet e mbikëqyrësit, ose do të pasojë një gjobë prej 20 milionë eurosh ose deri në 4% të të ardhurave vjetore.

Grupi i avokimit të konsumatorëve BEUC, u ka bërëthirrje gjithashtu autoriteteve të BE-së dhe atyre kombëtare, përfshirë këtu edhe  vëzhguesit e mbrojtjes së të dhënave që të hetojnë ChatGPT dhe chatbot të ngjashëm, pas paraqitjes së një ankese në SHBA.

ChatGPT është bllokuar tashmë në një numër vendesh, duke përfshirë Kinën, Iranin, Korenë e Veriut dhe Rusinë.

ChatGPT mund t’u përgjigjet pyetjeve duke përdorur gjuhë natyrale, të ngjashme me njeriun dhe gjithashtu mund të imitojë stile të tjera të të shkruarit, duke përdorur internetin siç ishte në vitin 2021 si bazën e të dhënave.

Miliona njerëz kanë përdorur ChatGPT që nga lansimi i tij në nëntor 2022.