Ilustrim

Shqetësime në Deçan pas turbullimit të ujit, IKSHPK teston disa mostra

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) sot me kërkesë të Ujësjellësit ‘Hidro-Drini’ ka marrë disa mostra të ujit në disa fshatra të Deçanit pas disa shqetësimeve se uji është i turbulluar.

Dyshohet se uji është turbulluar pas reshjeve të ditëve të fundit.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, me këtë rast janë bërë analizat fiziko-kimike dhe nesër apo pasnesër do të dalin analizat bakteriologjike.

“Nuk ka vend për shqetësim, MSh është në komunikim të vazhdueshëm me instancat përkatëse. Nesër, bashkë me përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, zyrtarë të MSh-së do të jenë në Pejë, tek qendra rajonale e IKShPK-së dhe në Deçan, ku do të takohet me strukturat e pushtetit lokal dhe drejtues tëv QKMF-së atje”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ministria ka bërë të ditur se në koordinim me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, zëvendësministrja Dafina Gexha – Bunjaku ka komunikuar me kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosajn, për t’u informuar më shumë për rastin.

Kujtojmë se në muajin korrik të vitit të kaluar më shumë se 1,500 persona nga fshatra të Deçanit dyshohet se u helmuan nga uji i pijes.

Për këtë Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë së ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë, në lidhje me dyshimet për helmimet që kanë ndodhur nga uji, vitin e kaluar në Deçan.

Helmimet nga uji në Deçan, ngritet aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të “Hidrodrini” në Pejë

Çezme – Foto: KALLXO.com