![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2022/06/Fake-news-Lajm-i-rrem-5-720x455.jpg)
Shqetësim në Shqipëri, lidhur me shtimin e portaleve me origjinë ruse
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha, tha se në vend janë shtuar portalet në gjuhën shqipe, që kanë origjinë ruse.
Këto deklarata, ai i bëri gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e posaçëm për koordinimin dhe mbikëqyrjen e veprimeve institucionale për të luftuar “dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.
“Kohët e fundit vlerësohet se infrastrukturës dezinformuese ruse në rajon i janë shtuar portale edhe në gjuhën shqipe, të cilat vazhdojnë të kenë shikueshmëri e lejueshmëri të kufizuar dhe numër të vogël klikimesh.” – tha ministri Hoxha.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit kundër dezinformimit, Erion Braçe, tha se është shumë e vështirë që të identifikohet se kush qëndron pas këtyre portaleve.
“Jemi në dijeni të qartë të portaleve në gjuhën shqipe, të cilat kanë origjinë Rusinë dhe vende të tjera keqdashëse. Nuk ka instrument që të merret me portale që kanë origjinë ruse e që janë në gjuhën shqipe. Problem i madh mbetet dezinformimi i brendshëm, nuk janë formale dhe nuk mbajnë përgjegjësi për ato që thonë.” – tha ai.
Rreth dy muaj më herët, kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Tomi Frashëri, deklaroi në një nga seancat e këtij Komisioni se institucioni që drejton ka mbyllur 155 domene ruse. Ai theksoi se mbyllja e tyre lidhej kryesisht me qëndrime pro luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, theksoi se si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka prioritet aftësinë për të parandaluar, kundërshtuar e për t’iu përgjigjur sulmeve hibride të Rusisë.
Ai theksoi se forcimi i kapaciteteve për zbulimin dhe parandalimin e kërcënimeve hibride përmes investimeve në teknologji, edukimit të publikut e forcimit të institucioneve demokratike, mbeten jetike për përballimin e kësaj sfide.
Ministri i Brendshëm tha se autorët kryesorë të fushatave hibride dhe formave kryesore të tyre në sulmet kibernetike; si dhe, të çdo aktiviteti tjetër janë aktorë shtetërorë dhe organizma të sponsorizuar prej tyre – e, më pak organizata biznesi joqeveritare.
“Rusia ka shtuar prezencën dhe ndikimin në rajon, duke kundërshtuar e vonuar procesin e integrimit evropian të këtyre vende – përmes influencës politike, por edhe ekonomike. Pranohet se propaganda politike e Moskës nuk vjen direkt nga Moska, por vjen e ripaketuar në të njëjtën mënyrë si të vinte nga andej – e, shpërndahet përmes satelitëve të saj në rajon. 90% e kësaj propagande ruse bëhet në gjuhën serbe.” – tha Hoxha.
Ai tha se gjatë viteve 2023-2024, Shqipëria është përballuar me sulme kibernetike të infrastrukturave të saj kritike të informacionit. Ministri ngriti shqetësimin se aktualisht në Kodin Penal të Shqipërisë nuk është i përkufizuar termi “dezinformim”./REL.