Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Shpresa amerikane për takimin për krizën në Ukrainë

Sekretari amerikan i Shtetit, Anony Blinken do të takohet të premten (21 janar) në Gjenevë të Zvicrës me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, në një përpjekje të vazhdueshme për të lehtësuar tensionet mes shqetësimeve se Rusia do të pushtojë Ukrainën, pavarësisht paralajmërimeve për pasoja të rënda.

Bisedimet në qytetin zviceran midis diplomatëve të lartë, vijnë pas një stuhie diplomacie në javët e fundit, që nuk ka arritur të kapërcejë ndarjet e thella midis Moskës dhe perëndimit, për çështjet e sigurisë në Evropën Lindore.

Para nisjes për në Gjenevë, Blinken vuri në pah se ai nuk parashikon një përparim në këto bisedime, të cilat siç tha ai duke pasur para sysh gjendjen ku ndodhen bisedimet, duhet të eksplorojnë nëse mund të vazhdohet vërtet të ndiqet rruga diplomatike për zgjidhjen e kësaj krize.

“Rusia mund të zgjedhë rrugën e diplomacisë dhe dialogut ose konfrontimin dhe pasojat”, tha Blinken më 20 janar, në një intervistë për televizionin gjerman ZDF.

“Unë mendoj se ne do të dimë më shumë nesër (e premte 21 janar) – të paktën shpresoj kështu – nëse Rusia është vërtet e përkushtuar në përpjekjen për t’i zgjidhur këto tensione përmes dialogut apo jo”, tha ai.

Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në Krime dhe pranë kufijve të Ukrainës, duke ngritur alarmin në kryeqytetet perëndimore se Moska po përgatit veprime të mëtejshme ushtarake kundër Ukrainës.

Moska tashmë mbështet luftëtarët separatistë në një luftë të vazhdueshme në Ukrainën lindore që ka marrë më shumë se 13,200 jetë që nga viti 2014, të njëjtin vit kur aneksoi ilegalisht Krimenë.

Moska është e zemëruar për mbështetjen ushtarake perëndimore për Ukrainën.

Uashingtoni dhe aleatët e tij kanë thënë se shumica e kërkesave të Rusisë nuk janë fillestare.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha në një konferencë shtypi më 19 janar se Rusia do të përballet me pasoja të rënda ekonomike nëse ndodh një ofensivë ushtarake.

Rusia mohon planifikimin e një pushtimi, edhe pse shton retorikën luftarake dhe kërkon një listë garancish sigurie.

Kërkesat përfshijnë një premtim nga NATO për të mos pranuar kurrë Ukrainën dhe për një tërheqje të konsiderueshme të aleancës nga Evropa Lindore./REL