Ymer Fejzullahu - Kryetar i bordit të ZRrE-së - Foto: Kallxo.com

Shpjegimi se pse u propozua shtrenjtimi i energjisë elektrike

Ymer Fejzullahu, kryetar i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka arsyetuar propozimin për rikthimin e bllok-tarifave të energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovatë orë rrymë në muaj.

Sipas tarifave të publikuara, qytetarët që shpenzojnë mbi 600 kilovatë do të paguajnë dyfish më shtrenjtë energjinë elektrike.

Fejzullahu i ftuar në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se ZRrE është e obliguar të mbulojë kostot me furnizim me energji elektrike, duke përmendur ngritjen e çmimit të energjisë elektrike në tregjet botërore.

“ZRrE e ka për obligim me e reflektu koston me furnizim me energji elektrike. ZrRE ka përgatitur një raport  konsultativ në të cilin të gjithë mund të jepin komentet e tyre. Kriza e çmimeve të energjisë nuk është vetëm në Kosovë por në të gjithë botën, nuk ka mungesë të rrymës por ka rritje të çmimit të energjisë elektrike. Kemi 500% të rritjes se çmimit në treg të rrymës elektrike. Në tre vitet e fundit, çmimi për import të rrymës ka qenë në mes 40-50 euro për megavat orë ndërsa në tre muajt e fundit ka pasur raste kur  kemi blerë deri në 500 euro megavatin për orë”, tha ai.

“Mesatarja e shpenzimit të qytetarëve është rreth 450 kilovatë rrymë në muaj në Kosovë. Këtu përfshihen rreth 70% e qytetarëve. Me kapacitetet ekzistuese deri në 600 kilovatë rrymë mund të ofrojmë rrymë me çmime të arsyeshme… ndërsa ata që shpenzojnë mbi 600 kilovatë orë e rëndojnë sistemin dhe për ta është propozuar shtrenjtim”, theksoi ai.

Fejzullahu shpjegoi se pse bizneset nuk do të preken nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.

“Bizneset nuk kanë bllok-tarifa as në të kaluarën e as tash. Bazë vlerësimit tonë , ne e kemi pasë rritjen për të gjithë konsumatorët. Por këto tash janë vetëm për konsumatorët. Qeveria ka nda një fond, është zotu, se do t’i japë rreth 75 milionë euro për të gjitha konsumatorët dhe ky fond ka rezultu të jetë 0% për bizneset dhe 0% për konsumatorët nën 600 kilovatë orë”, theksoi ai.

Qeveria zoton 75 milionë euro për subvencionimin e rrymës për qytetarët dhe bizneset