Rilind Gervalla, FOTO FACEBOOK

Shpjegimi i financuesit të Vetëvendosjes për pozitën e re në RTK

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës miratoi sot propozimin për emërimin e Rilind Gërvallës drejtor i kanaleve në gjuhën shqipe RTK 1, 3 dhe 4.

KALLXO.com raportoi se Gërvalla kishte qenë financues i Lëvizjes Vetëvendosjea më 2020 dhe ishte parë edhe në fotografi me anëtarë të kësaj partie dhe në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm në vitin 2020.

Sipas rregullores për zgjedhjen e menaxhmentit të lartë të RTK-së, kandidati duhet të mos ketë qenë deputet, ministër, zyrtar i lartë i pushtetit qendror apo lokal, apo anëtar i forumeve drejtuese të subjekteve politike në tri vitet e fundit.

Ndaj këtyre raportimeve ka reaguar vetë Gërvalla, i cili raportimet i ka quajtur sulme politike dhe fabrikime.

Ai ka thënë se do të ndërmarrë rrugë ligjore për të gjitha përpilimet e pasakta siç i ka quajtur ai të bëra në emrin e tij.

“Pas sulmeve publike të këtyre ditëve, të bazuar në propagandë dhe fabrikim, jam pak i indinjuar, por më shumë i brengosur se në ç’masë kanalet e komunikimit në ditët e sotme arrijnë ta bëjnë ndërmjetësin e interesave të caktuara pa bërë hulumtim të detajuar. Për hir të korrektësisë mediatike, do të më duhet të ndërmarrë rrugë ligjore për të gjitha përpilimet e pasakta në emrin tim”- ka shkruar Gërvalla.

Rilind Gërvalla ka thënë se është zgjedhur drejtor i kanaleve shqip në RTK pas pesë herë radhazi ndërsa theksoi se tash e 23 vite ishte pjesë e RTK-së në pozita të ndryshme.

“Pas një maratone prej 23 vitesh në Radio Televizionin e Kosovës si gazetar, drejtues redaksie i lajmeve ndërkombetare dhe këmbimit të lajmeve në ndërlidhje të RTK-së me organizatat dhe televizionet publike evropiane, sot pas 5 herë radhazi konkurimi të njëpasnjëshëm, u zgjodha Drejtor i Televizionit të RTK-së”- theksoi ai.

“Ndjehem i privilegjuar që do ta kem mundësinë ta përkthej përvojën time në shërbim të ecjes para të një skeme të re programore, që mundësisht do ta projektojë qytetarinë, memorien kolektive, informimin, kulturën qytetarit të Kosovës, në formë transparente dhe me bashkëpunim të plotë pa dallim përkatësie”- shtoi Gërvalla.

Në konkursin për drejtor të kanalit shqip në RTK 1, 3 dhe 4 kishin konkurruar gjashtë kandidatë, ndërsa katër nga ta kishin plotësuar kriteret për intervistë. Më i poentuari nga komisioni ishte zgjedhur Rilind Gërvalla.

Për ‘lidhjet’ e Gërvallës me LVV-në, dhe raportimet në media për të, Ahmetxhekaj tha se kanë kërkuar sqarime nga Lëvizja Vetëvendosje nëse ai ka qenë pjesë e strukturave apo forumeve drejtuese në tri vitet e fundit.

Ai tha se një arsye shtesë për të kërkuar sqarime ka qenë edhe mundësia e manipulimit të fotografive.

Ahmetxhekaj sqaroi se LVV ka thënë se Gërvalla në periudhën e cekur nga RTK nuk ka qenë pjesë e strukturave të këtij subjekti.

Financuesi i Vetëvendosjes zgjidhet drejtor i kanalit në gjuhën shqipe RTK1, 3 dhe 4