Shpjegimi i drejtorit të Policisë për shuarjen e Task-Forcës anti-korrupsion

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, është pyetur në emisionin në KALLXO.com lidhur me shuarjen e Departamentit Special Anti-Korrupsion nga Qeveria Hoti, në muajin tetor.

Mehmeti tha se të gjitha lëndët pa përjashtim me të cilat është marrë kjo Task-Forcë janë duke u trajtuar përmes Njësisë për Hetime të Veçanta.

Ai deklaroi se të gjithë prokurorët dhe policët vazhdojnë të kryejnë detyrën e tyre, por që tha se ndaj tyre nuk ka shtesa pas shuarjes së këtij Departamenti.

“Nuk kemi qenë të informar për këtë vendim (të Qeverisë), për shkak se unë ditën e parë që kam fillu punën ka ndodhë edhe vendimi i Qeverisë. Nuk e di nëse ish-drejtori ka qenë i informuar. Unë e kam pranu vendimin si të tillë. Të gjitha lëndët që i ka pasë Task-Forca janë duke u trajtu edhe në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale. Edhe lëndë të tjera që vijnë për korrupsion do të trajtohen nga personeli i specializuar së bashku me Departamentin anti-korrupsion që merret ekskluzivisht më këtë lëmi. Nuk ka asnjë ngecje në lëndë edhe të gjitha krimet që paraqiten do të trajtohen nga një njësi që quhet Njësi për hetime të veçanta dhe i ka këto lëndë dhe ka kompetencë të plotë… Eprorët dhe policët janë të njëjtit mirëpo përkushtimi me Prokurorinë Speciale ka qenë në letërkëmbime që të bëhet mbikëqyrja e shtuar ndaj policëve dhe pjesëtarëve të prokurorisë. Nëse dikush nga ta nuk tregon rezultate, ne do të marrim masa. Lëndët e të gjithëve sikurse për kryetar, si ministra si policë e gazetarë do të trajtohen… “, u shpreh ai.

 

“Në vendimin e themelimit të Task-Forcës në vitin 2010, është paraparë që ata të kenë shtesa të veçanta, kurse në vendimin që e anulon këtë vendim, ia ndalon edhe shtesat”, shtoi tutje shefi i Policisë.

Departamenti Special Anti-Korrupsioni, apo e ashtuquajtura ‘Task-Forca Anti-Korrupsion” ishte pjesë e Policisë, që kishte për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale kundër ekonomisë, financave dhe korrupsionit, por edhe hetimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë në Kosovë.

Task-forca është themeluar më 26 shkurt të vitit 2010 në kohën sa ishte kryeministër Hashim Thaçi. Ky Departament përbëhet nga 8 prokurorë, 5 vendorë, ndërsa 3 të emëruar nga autoritetet e EULEX-it.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka thënë se vendimi për themelimin e Task Forcës i vitit 2010 nga Qeveria Thaçi është jokushtetues. Hoti tha se vendimin që e ka marrë tani Qeveria është për ta kthyer ligjshmërinë. Ndërsa shtoi se janë duke e kritikuar këtë vendim “ata që kanë frikë që gjërave do t’u shkojmë deri në fund”.