Foto: MAPL

Shpjegimi i Adrijana Hoxhiqit se pse mori me mijëra vota në 4 komunat veriore

Iniciativa e Adrijana Hoxhiqit, politikane e komunitetit boshnjak, ndonëse është hera e parë që merr pjesë në zgjedhjet parlamentare ka dalë më e votuara e komunitetit boshnjak dhe kjo pritet t’i sigurojë së paku 1 vend nga 3 ulëse të garantuara që i takojnë këtij komuniteti.

Iniciativa e Hoxhiqit në komunën e Mitrovicës së Veriut ka marrë 1 mijë e 780 vota, ani pse numri i qytetarëve të komunitetit boshnjak sipas saj është rreth 500.

“Në Mitrovicën veriore, nuk dihet nëse janë 300 apo 500 boshnjakë, por në Mitrovicën Veriore unë i kam pasë 90% të votave të boshnjakëve, një numër i madh i komunitetit shqiptar  që jeton në “Boshnjak Mahallë” e kanë mbështetur Iniciativën time. Është e vërtetë që edhe komuniteti goran e serb e kanë mbështetur Iniciativën time”, tha Hoxhiq në KALLXO.com.

Sipas saj, votat i ka marrë për shkak të punës së saj për bashkëjetesën e komuniteteve.

 

“Unë kam marrë mbështetje nga të gjitha komunitetet sepse unë e kam realizuar bashkëjetesën në komunën e Mitrovicës Veriore, të tjerët kanë mundur të flasin, por unë e kam realizuar”, tha Hoxhiq.

Në procesin e regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, nuk janë përfshirë 4 komunat veriore dhe nuk dihet numri i saktë i qytetarëve të komunitetit boshnjak që jeton në këto 4 komuna.

Në Zubin Potok, Iniciativa e Hoxhiqit ka marrë 407 vota, ndërsa VAKAT, NDS dhe SDU nuk kanë marrë asnjë votë.

Në 4 komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, Iniciativa e Adrijana Hoxhiqit “Komuniteti i Bashkuar” ka marrë në total 3 mijë e 770 vota.