Foto: Facebook

Shpjegimet e drejtorit të bordit të AKP-së pse nuk u dërgua “Ex Fis” në prokurori pasi vendosi logot në një pompë derivatesh në veri 

Ndonëse ka ndodhur një ndërhyrje në pronën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), deri më tani Prokuroria e Mitrovicës, as Policia, nuk kanë marrë ndonjë njoftim apo kërkesë për të hetuar si ndodhi që kompania e derivateve “Ex Fis” të vendosë logot e saj në njërën prej pompave në veri të Kosovës.

Kështu të paktën ka konfirmuar për KALLXO.com kryeprokurori i Mitrovicës, Ismet Ujkani, i cili tha se nuk ka asnjë informacion nëse është bërë ndonjë kërkesë nga AKP.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e bordit të AKP-së, Mentor Hysenin, në lidhje me mundësinë e inicimit të procedurës penale ndaj kompanisë së derivateve e cila ndërhyri me punime në njërën nga pompat e derivateve në veri.

Ai fillimisht ka konfirmuar për KALLXO.com se Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk i ka dhënë askujt asnjë kontratë për të nisur veprimtarinë në pompat e mbyllura dhe më pas shtoi se shpallja publike vazhdon të jetë ende e hapur për ofertuesit.

Për të sqaruar nëse “Ex Fis” bëri apo jo ndërhyrje duke vendosur logot në pronë të AKP-së pa ndonjë vendim definitiv, Mentor Hyseni tha se nuk ka njohuri për këtë çështje.

“Ne kur kemi marrë informacionet i kemi njoftu zyrat rajonale dhe kur kanë dalë ata kanë njoftu se ato (logot) janë hequr. Unë nuk e di, ato nuk mundet dikush me tentu me i marrë pa tender publik”- thotë Hyseni deri sa KALLXO.com tregon se është bërë një ndërhyrje – vendosja e logove të kompanisë.

“Unë nuk kam informacione nëse është bërë ndonjë ndërhyrje atje”- shtoi tutje Hyseni, ndërsa thekson se pasi ka marrë informacionet për vendosjen e logove ekipet e AKP-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë masa.

“Nuk e di nëse ka iniciu menaxhmenti por nuk besoj që është çështje penale nëse ai ka vendos logot”- shtoi tutje Hyseni.

“Unë nuk besoj që dikush favorizohet në atë aspekt sidomos kur ka tender publik” – tha Hyseni kur u pyet rreth mundësisë së favorizimit të kompanisë “Ex Fis”, e cila ishte një prej donatorëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Për procedurat penale nuk jam i thirrur sepse jam ekonomist”- shtoi ai.

Ai shpjegoi se si para se të vinte në pozitën që ka aktualisht ka raste ku edhe pse ka pasur ndërhyrje në prona të AKP-së nuk ka pasur kallëzime penale fare dhe se janë detyruar që ato prona t’i shesin direkt.

Sa i përket ndërhyrjes në pronë të AKP-së nga kompania “Ex Fis”, Hyseni thotë se nëse ka shkelje ligjore patjetër që do të ketë procedurë dhe llogari.

“Por unë po të tregoj që një shkelje ligjore e ngjashme siç e keni ju fjalën me këtë rast, i kemi 4 mijë shtëpi që janë ndërtu në pronat tona” – shtoi ai.

I pyetur se nëse hasin në ndërtime të tilla tani në mandatin e tij a do t’i dërgonin rastet në organe të drejtësisë, Mentor Hyseni tha se nuk kanë rrugë tjetër.

“Nuk kishim pasë rrugë tjetër, Nëse kishim mujtë me ndalë normalisht që kishim marrë masa të tjera, p.sh. ka pasur shumë raste me qira që kanë keqpërdorë dhe kemi ndërmarrë masa ua kemi shkëputë marrëdhënien kontraktuale”- tha Hyseni.

Drejtori i bordit të AKP-së tha se sot kanë zhvilluar një takim që ka zgjatur 10 orë, por nuk konfirmoi nëse aty e kanë diskutuar çështjen e ndërhyrjes nga kompania “Ex Fis”.

“Jo, se janë edhe 100 pika të rendit të ditës të tjera”- tha Hyseni.

KALLXO.com që nga dje ka kërkuar përgjigje nga Agjencia Kosovare e Privatizimit se si ndodhi që në ditën kur u bë shpallja publike për qiradhënie të pompave të derivateve në veri të vendit kompania “Ex Fis” të vendosë logot e saj.

E sot në një reagim publik AKP tha se vendosja ishte bërë nga një keqkuptim por me të vërejtur këtë gjë, kanë kërkuar largimin e logove.

https://kallxo.com/lajm/financuesi-i-vetevendosjes-tentoi-te-marre-pompat-e-derivateve-ne-veri-te-kosoves/