Shpëtohet jeta e qytetarit në Mitrovicë pasi tentoi të hidhet nga objekti i komunës

Komuna e Mitrovicë ka njoftuar se është shpëtuar jeta e një qytetari i cili ka tentuar që të hidhet nga lartësia, konkretisht nga kulmi i objektit të komunës.

“Gjatë ditës së sotme një qytetar nga Mitrovica ka qëndruar mbi çatinë e objektit të komunës duke kërcënuar që do të hedhet nga objekti i ndërtesës komunale. Menjëherë pas marrjes së informatës në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia e Kosovës, ekipet e Zjarrfikësve dhe të Emergjencës, të cilët falë koordinimit të saktë dhe me kohë kanë arritur që personin në fjalë ta evakuojnë dhe të shpëtojnë nga rreziku potencial”, njofton Komuna e Mitrovicës.

Sipas njoftimit të komunës, pas largimit të personit në fjalë nga objekti i komunës, zyrtarët policor e kanë shoqëruar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami HaxhiBeqiri”.

“Rasti në fjalë është duke u hetuar nga organet kompetente të sigurisë”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com në lidhje me rastin ka kontaktuar edhe Policinë në Rajonin e Mitrovicës, por nuk ka pranuar përgjigje rreth rastit.