Shpërthimi në Zhur që la të vdekur një polic, ngritet aktakuzë ndaj tre personave

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj Iran Badallajt dhe dy personave të tjerë, Arben Gashi dhe Valbon Çollaku, të përfshirë në rastin e shpërthimit në fshatin Zhur ku mbeti i vrarë zyrtari policor Sami Thaqi.

Sipas prokurorisë, Iran Badallaj dhe A. G. akuzohen se në fillim të muajit janar 2020, në Prizren, janë furnizuar nga i pandehuri V. Ç. me mjet eksploziv të cilin e kanë fshehur në shtëpinë e të pandehurit Iran Badallaj dhe si rezultat i këtyre veprimeve kundërligjore të tyre, me datën 28.01.2020, gjatë bastisjes së kryer nga zyrtarët policorë në shtëpinë e të pandehurit Iran Badallaj zyrtarët policorë vijnë në kontakt me lëndën shpërthyese e cila aktivizohet dhe nga shpërthimi mbetet i vrarë një zyrtarë policor dhe dy të tjerë lëndohen rëndë.

Sipas prokurorisë, të njëjtit akuzohen se në shtëpinë e të pandehurit Iran Badallaj kanë poseduar kundërligjshëm eksplozivin e llojit “TNT” në peshë prej 809.1 gram dhe një detonator mekanik në të cilin ishte i vendosur një fitil ndezës me gjatësi 63 cm.

I pandehuri tjetër V. Ç. akuzohet se ka importuar, prodhuar ose shitur armë apo materiale plasëse me të cilat kishte prodhuar eksplozivin për të akuzuarit tjerë dhe të njëjtin ua kishte shitur atyre për 400 Euro.

Raportimin e KALLXO.com për këtë rast mund ta gjeni në këtë LINK.