Flamuri turk pranë urës së Bosforit. Foto: Wikipedia.

Shpërthimi në Stamboll, Kosova solidarizohet me popullin dhe institucionet e Turqisë

6 persona kanë vdekur e 53 janë plagosur nga një shpërthim që ka ndodhur sot pasdite në Stamboll.

Institucionet dhe partitë politike të Kosovës janë solidarizuar me popullin dhe Qeverinë turke në këtë ditë të rëndë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, u ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjeve, popullit turk, Asamblesë së Madhe Kombëtare dhe presidentit të Turqisë.

“Më trishtim morëm lajmin për humbjen e jetëve të pafajshme të disa personave dhe plagosjen e shumë të tjerëve si pasojë e shpërthimit të sotshëm në Stamboll. Ndajmë dhimbjen e madhe me familjet e viktimave dhe lutemi për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve” – ka shkruar Konjufca në Facebook.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka ngushëlluar familjet, institucionet dhe popullin turk për shpërthimin tragjik.

” Lutemi që të jetë rasti i fundit që ka tronditur popullin turk dhe të gjithë ne. Shpresojmë në zbardhjen sa më të shpejtë të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje të kobshme” – ka shkruar ministri Sveçla në Facebook.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është shprehur i pikëlluar dhe i tronditur nga shpërthimi i sotëm në Stamboll. “Në këto momente të vështira, ndajmë dhembjen me institucionet e Republikës së Turqisë dhe popullin mik turk” – ka theksuar Krasniqi.

Shpërthimin e ka dënuar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

“Aktet e tilla qyqare, na kujtojnë edhe njëherë që bota duhet të jetë bashkë, e demokratizuar dhe e zëshme kundër dhunës dhe terrorit”- ka thënë Haradinaj.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK),  Avdullah Hoti, u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave të sulmit të sotëm Stamboll. “Akte të tilla të shëmtuara duhet të ndalen dhe ata që qëndrojnë prapa tyre duhet të marrin dënimin e merituar” – ka theksuar Hoti.

Rritet numri i personave të vdekur dhe të plagosur nga shpërthimi në Stamboll