Shpërthimi në Zubin Potok
Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit, KRU "Prishtina" njofton për reduktime të ujit në tri komuna
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton se më 30.11.2024 do të ketë reduktime të ujit në Drenas, Fushë-Kosovë dhe Obiliq.
Këto reduktime sipas KRU “Prishtina” vijnë si pasojë e gjendjes së krijuar pas shpërthimit nga i cili u dëmtua një pjesë e kanalit të ujit të Ibër-Lepencit më 29.11.2024.
KRU “Prishtina” bën të ditur se në Drenas do të ketë reduktime nga ora 13:00 deri në 18:00 ndërsa në Fushë-Kosovë dhe Obiliq, nga ora 14:00 deri në ora 19:00.
“Për shkak të gjendjes së krijuar së fundmi në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok dhe prurjes së pakët të ujit nga kanali i Ibër Lepencit jemi të detyruar të aplikojmë reduktime në Drenas sot nga ora 13:00- 18:00,në Fushë Kosovë dhe Obiliq nga ora 14:00- 19:00. Shpresojmë që gjendja të përmirësohet shpejt”- thuhet në njoftim.
Ndërsa, Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” thotë se për të siguruar ujë për qytetarët e ndikuar kanë filluar me shpërndarjen së ujit të pijes përmes cisternave të cilat janë vendosur në këto lokacione:0
– Një cisternë e ardhur nga Malisheva do të vendoset tek “Salla e Sporteve” në Skenderaj,
– Një cisternë nga KRU “Hidroregjioni Jugor” nga Prizreni do të vendoset në Spitalin e Mitrovicës në Bair,
– Një cisternë nga KEK –u do të furnizoj qytetarët e veriut të Mitrovicës.
Sipas KRU “Mitrovica”, nga këto qytetarët mund të sigurojnë ujë të pijes.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut. Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orekstruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me këtë rast. Në orët e para të mëngjesit kanë nisur bastisjet në disa lokacione lidhur me sulmin në kanalin e Ibër Lepencit.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024) ku ka folur për këtë shpërthim.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.
Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e Ibër Lepencit, mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.
Lajm në Zhvillim: Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit