Situata në veri të vendit, pjesëtarë të shumtë të Policisë së Kosovës në terren pas shpërthimit të kanalit të Ibër Lepencit/ Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit, konfiskohen tri pushkë gjuetie

Policia e Kosovës ka vazhduar edhe sot, më 01.12.2024, kontrollet dhe bastisjet në zonën e Zubin Potokut ku të premten, më 29.11.2024, është kryer sulm terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veriu të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka konfirmuar se kanë konfiskuar tri pushkë gjuetie.

Elshani tha se nuk ka të ndaluar apo arrestuar pas këtyre bastisjeve dhe kontrolleve.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veriu të Policisë së Kosovës tha se kontrollet në terren janë kryer bashkë me Njësinë policore K-9.

“Kontrolli i terrenit është kryer me Njësinë policore K-9 e po ashtu edhe me njësitet e tjera policore dhe tashmë ka përfunduar”- tha ai.

Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut.

Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.

Një numër i konsiderueshëm i armëve, pajisjeve ushtarake e pajisjeve të tjera është gjetur gjatë bastisjeve në veri, gjatë ditës së djeshme (30.11.2024).

Deri më tani, siç kanë bërë të ditur vetë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e drejtori i Policisë, janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona.