Vendi i ngjarjes në Shkodër. Foto:Anila Dushi

Shpërthim tritoli në një automjet në Shkodër

Një mjet i parkuar në oborrin e një banese në qytetin e Shkodrës ka shpërthyer, pasi në të ishte vendosur lëndë plasëse. Ngjarja ka ndodhur në 20.25 të së shtunës në lagjen “Partizani” dhe nga shpërthimi është dëmtuar mjeti në pronësi të shtetasit Nazmi Bandulla.

Në momentin e shpërthimit që dyshohet se është lëndë plasëse tritol në banesë ka qenë familja Bandulla ndërsa në oborr ka qenë i parkuar mjeti.

Badulla ka deklaruar se ai nuk e kishte përdorur mjetin të shtunën, ndërsa shpërthimi ka ndodhur disa minuta pasi ai kishte hyrë në shtëpi.

Sipas policisë shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Pronari i makinës Nazmi Bandulla ka qenë me precedent penal për “dhunë në familje”, por burime të policisë thanë se nuk e kishin të qarta motivet pas atentatit.

Atentatet me eksploziv përdoren rëndom për shantazh në vend. Pjesa më e madhe e tyre mbeten të pazbardhura, ndërsa vetëm muajin e fundit policitë në Durrës dhe Lezhë kanë sekuestruar katër mina të telekomanduara dhe arrestuar tre persona që i transportonin ato. (reporter.al)