Ilustrim

Shpërthim në një xhami në Kabul, dyshohet për shumë viktima

Një shpërthim i madh ka ndodhur në një xhami në kryeqytetin afgan Kabul, thotë policia, raporton BBC.

Shpërthimi mendohet të ketë ndodhur gjatë lutjeve të mbrëmjes, ku dyshohet për shumë viktima, megjithëse shifrat nuk dihen ende.

Khalid Zadran, zëdhënësi i policisë së Talibanëve në Kabul, u citua nga mediat lokale të ketë thënë se kishte pasur një shpërthim në lagjen e 17-të të qytetit.

Sipas raportimeve, imami i xhamisë ishte në mesin e të vdekurve.

“Forcat e sigurisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes” – tha Zadran.

Një spital në Kabul, shkroi në Twitter se 27 persona ishin “pritur në spitalin e tyre deri më tani pas një shpërthimi në zonën PD17”.

“Pesë fëmijë në mesin e tyre, duke përfshirë një shtatëvjeçar” – thuhet më tej nga ky spital.

Javën e kaluar një klerik i njohur pro-Taliban u vra në një shpërthim vetëvrasës me bombë, gjithashtu në Kabul, derisa Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin.