Uji

Shpërthen një gyp në Hajvali, mbesin pa ujë disa lagje e fshatra të Prishtinës

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se ka shpërthyer një gyp i ujit në fshatin Hajvali.

Për shkak të shpërthimit të gypit, pa ujë të pijshëm kanë mbetur, fshati Hajvali, Çagllavica, Veterniku (pjesa kah “Gorenje”), lagjja “Qëndresa” dhe lagjja “Qershia”.

“Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit janë në vendin e ngjarjes dhe po merren me sanimin e defektit në gyp. Po besojmë në sanim sa më të shpejtë”, thuhet në njoftimin nga KRU “Prishtina”.

Ata kanë rekomanduar që në momentin që rikthehet furnizimi me ujë të pijshëm, qytetarët t’i lënë krojet hapur për pak minuta deri në kthjellim të ujit.