Shpërthen një gyp i ujësjellësit në Prishtinë, shkakton dëme në tre shtëpi (FOTO)

Tre shtëpi kanë pësuar dëme materiale pas shpërthimit të një gypi të ujësjellësit në lagjen ‘Tasligje’ të kryeqytetit.

Ngjarja ka ndodhur sot në orën 6:00 të mëngjesit, ndërsa nuk ka pasur lëndime në njerëz.

Sipas banorëve të kësaj lagje, gypi i shpërthyer është i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’, kurse gypat në këtë lagje janë nga azbesti dhe të vjetër dhe datojnë që nga vitet e ’70-ta.

Shpërthimi i gypit ka shembur një mur, ku ka shkaktuar dëme materiale në një shtëpi  dhe më pas janë vërshuar edhe dy shtëpi të tjera.

 

Sipas banorit të kësaj lagje Hajriz Ibrahimi, banorët kanë bërë kërkesë qysh në vitin 2016, në Ujësjellës dhe në Komunë, që të ndërrohen gypat e vjetëruar, por sipas tij, nuk ishte ndërmarrë asgjë.

“Ne banorët e lagjes ‘Tasligje’ në korrik të vitit 2016 kemi bërë kërkesë edhe në Komunë edhe në Ujësjellës, që të ndrrohen këta gypa, që janë vendosur qysh në vitet ’70-ta. Për shkak se në atë kohë qenë duke u rregulluar rruga, e kemi bërë edhe kërkesën. Nëse do të ishin ndërruar në atë kohë, sot nuk do ta kishim këtë problem”, ka thënë Ibrahimi në një përgjigje për KALLXO.com

Sipas zyrtares për informim në Komunën e Prishtinës, Miranda Mullafazliu, ekipet e komunës janë në teren, për të vlerësuar situatën, ndërsa nuk ka dhënë përgjigje nëse do të paguhen dëmet e shkaktuara nga pëlcitja e gypit.

Në anën tjetër Kompania e Ujësjellësit, ia ka hedhur fajin Komunës së Prishtinës, që nuk është bërë ndrrimi i gypacionit.

Sipas Arjeta Mjekut, zëdhënëse e KRU ‘Prishtina’, këta të fundit kanë shprehur dëshirën që të dalin në ndihmë banorëve, por sipas saj, Komuna e ka injoruar një gjë të tillë.

“Për fat të keq, Komuna e Prishtinës në pjesën dërmuese të projekteve që realizon nuk na njofton neve me kohë dhe pastaj ne po gjendemi para aktit të kryer sepse nuk po i kemi brenda planeve apo projekteve të planifikuara”, ka thënë Mjeku në një përgjigje për KALLXO.com.

Sipas saj, tash është duke u ndërruar një segment i gypit të vjetër, ndërsa pjesën tjetër do ta ndërrojnë në një ardhme të afërt.