Shpërndarja e pyetjeve të testit nga kryeprokurori i Gjakovës, reagon Kryeprokurori i Shtetit

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se u.d. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme pas dyshimeve për shpërndarje të pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesionalë nga kryeprokurori i Prokurorisë së Gjakovës, Ramiz Buzhala.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton opinionin publik se Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, pas pranimit të informacionit nga mediat lidhur me dyshimet e ngritura për shpërndarje të pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesionalë nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, në bazë të kompetencave që ka do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Gjakovës, Ramiz Buzhala, mëngjesin e sotëm gabimisht disa pyetje që kanë qenë pjesë e testit me shkrim për bashkëpunëtorë profesionalë ia ka dërguar ekipit të KALLXO.com.

Në momentin që kryeprokurori Buzhala merr vesh se pyetjet janë dërguar në adresë të gazetares së KALLXO.com, ai kërkon sërish fshirjen e përmbajtjes së mesazhit me pyetjet për testin me shkrim për bashkëpunëtorë profesionalë.

Buzhala nuk ka pranuar të japë përgjigje se kujt ia kishte adresuar këto pyetje, ndërsa vazhdon sërish të kërkojë që të fshihen ato.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, potencoi se lajmi i sotëm është arsye e mjaftueshme për nisje të hetimeve ndaj kryeprokurorit dhe suspendim të tij.